Arsenali përmbysi disfatën 1-0 të pësuar në Bjellorusi, duke mundur 3-0 Bate Borisov e duke u kualifikuar në raundin tjetër të turneut më të vogël të futbollit europian për klube.

Londinezët ishin superiorë në sfidën e “Emirates Stadium”, ku spikatën në veçanti dy futbollistë me origjinë shqiptare, Granit Xhaka me dy asiste dhe Shkodran Mustafi me një nga rrjetat e vendasve. U desh fillimisht një autogol i hershëm i Volkov për të prishur ekuilibrat, e më pas futbollisti nga Gostivari, Shkodran Mustafi krijoi një avantazh më komod. Vetëm 4 minuta pasi kishte hyrë në fushë në fraksionin e dytë, Sokratis firmosi trisin fitues të Arsenalit, pas një topi nga Xhaka.

Elseid Hysaj ishte titullar në suksesin e Napolit ndaj Zyrihut në stadiumin San Paolo. Pas triumfit minimal në Zvicër, italianët këtë herë bënë më mirë me shifrat 2-0. Verdi i dha epërsinë vendasve pak para pushimit ndërsa Ounas siguroi dhe kualifikimin e merituar të Napolit. Zeniti i Shën Petersburgut eliminoi Fenerbahcen pasi fitoi 3-1 në shtëpi, duke eklipsuar suksesin minimal të turqve në Stamboll. Rrjetat e rusëve erdhën nga Ozdoev që në minutën e katërt e më pas Azmun dy herë.

Në përballjet e tjera të mbrëmjes edhe skuadra të tjera favorite kaluan në turin tjetër. Pak frymëmarrje dhe për trajnerin Sarri te Chelsea pas suksesit 3-0 ndaj Malmo. Pas një fraksioni të parë pa gola, Giroud, Barkley dhe Hadson-Odoi tundën rrjetën e suedezëve në “Stamford Bridge”, sukses i nevojshëm për moralin, por jo i detyrueshëm për kualifikimin që ishte hipotekuar në transfertë.

Valencia eliminoi Celtic pas fitores 1-0 në Mestalla. Gameiro ishte autor i rrjetës së vetme të spanjollëve që kishin fituar dhe në Skoci 0-2.

Top Channel