20 Shkurti 1991 ka hyrë në histori, si dita e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Kanë kaluar 28 vite nga ajo ditë me një simbolikë të fortë, pasi rënia e shtatores së diktatorit komunist shihej edhe si rënia e regjimit në tërësi.
Në studion e emisionit “Top Talk”, të gazetarit Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar njëri prej protagonistëve kryesorë, jo vetëm të asaj dite, por edhe të procesit në tërësi të ardhjes së pluralizmit në Shqipëri, zoti Neritan Ceka. Me të janë evokuar edhe njëherë momentet e asaj dite, që na shërbejnë për kujtesën kolektive historike, por është diskutuar gjithashtu situata aktuale politike në vend.
Partia Demokratike ka vendosur që të tërhiqet nga mandatet e përfaqësimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë. A do ta bënte Neritan Ceka këtë akt, në këtë moment kaq delikat, nëse do të ishte kryetar i PD-së, për të rrëzuar Edi Ramën?
“E kam të vështirë ta them nga pozitat që kam, por nga përvoja politike mendoj që një parti e ka vendin në Parlament dhe në një vend demokratik, nën monitorimin e BE-së, nuk ka zgjidhje tjetër veçse Parlamentit dhe përgatitjeve për zgjedhjet. Jam i bindur që një parti e fortë, me një traditë gati 30-vjeçare duhet të përgatitet për zgjedhje dhe të bindë njerëzit për zgjedhje, ose të thotë që me këtë popull nuk bëhet demokraci, ky popull që s’ka respekt për votën. Pra, ose e ka fajin populli që nuk do votë të lirë, ose e ka fajin partia, pikërisht se këta zotërinj, bashkë me ata të Partisë Socialiste e kanë katandisur këtë vend, në të vetmin që qeveriset nga OSBE-ja në kuptimin e votës së lirë. Sa të jetë OSBE-ja në Shqipëri s’ka për të pasur ndonjëherë votë të lirë. Sistemin e vendos OSBE-ja dhe, ky vend demokratik bëhet vetëm kur ajo të thotë që votën ta numërojnë ata që votojnë dhe jo ata që votohen. Duhet që KQZ-ja të krijojë një administratë që të përjashtojë partitë nga numërimi i votave, por OSBE-ja nuk është e interesuar për këtë sepse do të humbiste edhe zyrat, edhe rrogat, edhe makinat. Por veç saj, edhe këto dy parti nuk janë të interesuara të ndryshojnë sistemin, sepse humbin pushtetin. Kanë krijuar një sistem që edhe pas 200 vitesh do t’i mbajë këta në pushtet”, tha Neritan Ceka.
Ish-politikani, ish-diplomati dhe arkeolog me profesion, Ceka tha se Shqipërisë i duhet një sistem me në themel votën e lirë, gjë që nuk mund të bëhet kur numërimin e votës e komandojnë partitë politike, që më pas qahen se i vjedhin votat njëri-tjetrit. Gjithashtu, qeverinë e ardhshme duhet ta vendosë populli dhe jo kryetari i partisë fituese. Ndërkohë, ai jep edhe “recetën” për zgjidhjen e krizës.
“Kur kam qenë deputet e kam thënë: silluni në opozitë sikur jeni në pushtet, me më shumë përgjegjësi, më shumë pjesëmarrje; dhe silluni në pushtet sikur të jeni në opozitë, me më shumë tolerancë”, tha Ceka.
Basha tha këtë të mërkurë se jemi në një moment, ku historia duket se po përsërit veten, duke pasur parasysh përmbysjen që opozita me në krye PD-në pretendon ndaj Edi Ramës. A sheh zoti Ceka elementë të ngjashëm?
“Nuk mendoj se jemi në të njëjtën situatë, tanimë kemi një Shqipëri që i ka institucionet në krahasim me atë periudhë, kur institucionet dolën jashtë funksionit. Që me dhjetorin e vitit 1990, Komiteti Qendror që vendoste për gjithçka doli jashtë funksionit; qeveria që s’kishte gjë në dorë veçse ofronte varfëri dhe uri, doli gjithashtu jashtë funksioni. Ramiz Alia mbeti për ne vetëm personi i kontaktit për të firmosur për zgjedhjet, por kishte humbur edhe fuqinë për të vepruar. Të mos harrojmë edhe faktin që nuk kishte faktor ndërkombëtar. Kurse sot jemi një ‘vagon’ që po ecën drejt BE-së, pavarësisht se nuk jemi ende anëtarë të bllokut. Unë mendoj se jemi një vagon, ndërkohë që trenisti është diku tjetër. Të mos mendojmë tani se ne drejtojmë këtë shtet në mënyrë të pavarur, vendosim ne dhe mund të bëjmë çfarë të duam me këtë shtet. Ky shtet që kemi është produkt, Shqipëria po punon për të plotësuar kushtet për të qenë anëtare e BE-së, por nuk mund ta them nëse do të na e hapin apo jo derën në qershor”, tha Neritan Ceka.
Por, a ndikon situata e krizës që kemi tani në vendimin për negociatat? “Kjo nuk ndikon dhe të jeni të sigurtë, sepse unë besoj që vendimi është marrë me kohë. Edhe pa këto ngjarje, Shqipëria nuk do të çelë negociatat me BE-në. Kjo gjendje nuk ndikon, por kjo do të thotë që ky shtet po përgatitet, por nuk është ende gati. Këtu ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar negativisht, si paternalizmi i atyre që ne i quajmë ‘të huajt’. Ky ka qenë në përgjithësi frenues dhe jo pozitiv, sepse është ushtruar në pikëpamjen që të jemi një shtet normal…”, tha Ceka, i cili gjithsesi nuk pranoi ta quante Shqipërinë një shtet vasal.
“Nuk mund ta them vasal, por do të ishte më mirë kështu, se ç’jemi aktualisht. Por le të themi që jemi një shtet në mbikëqyrje, që monitorohet dhe nuk konsiderohet ende i karakterit europian. Nëse do të ketë një klasifikim, ne vijmë pas Maqedonisë së Veriut dhe, shumë vende prapa edhe sesa Mali i Zi. Jam i sigurtë se do të ishim edhe prapa Kosovës, po të mos kishte problemet aktuale me Serbinë. Nëse vendet e rajonit janë nën monitorimin e drejtpërdrejtë të niveleve më të larta europiane, ne jemi nën monitorimin e nëpunësve të kategorisë së mesme ose të ulët të BE-së”, shpjegoi Ceka.
Neritan Ceka njihet si politikani “pacifist” i së djathtës shqiptare, ndryshe nga ç’është krijuar opinioni për ish-kryetarin e PD-së dhe deputetin aktual Sali Berisha. Por çfarë ka ndodhur më 20 shkurt të 1991-shit dhe si i kujton ai emocionet e asaj dite? A kanë humbur tashmë ato, apo vijojnë të jenë ende të forta sa herë që vjen 20 shkurti?
“Erën e pranverës nuk e eviton dot, sikurse çeljen e mimozave, ditët me diell të shkurtit… Ka ndryshuar sigurisht ambienti, arkitektura e Tiranës, veshja dhe sjellja e njerëzve, por kam përshtypjen se problemet janë po ato”, tha Ceka.
Njerëzit kishin ideale dhe ëndrra të mëdha asokohe. Duke parë këto 28 vite të kaluara, kemi devijuar nga ajo që nisëm?
“Natyrisht që nuk është Shqipëria që u projektua, nga një grup i vogël njerëzish në atë kohë që drejtuan Partinë Demokratike, por ishte një dëshirë e madhe që nuk rridhte vetëm nga një program politik. ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’ nuk ishte fjalë për fjalë pjesë e programit të PD-së, por ishte një thirrje që erdhi drejtpërdrejt nga turma e njerëzve, bashkë me ‘liri, demokraci’. Këto janë shtyllat mbi të cilat u ngrit e gjithë lëvizja popullore. Ndaj, në këto drejtime do të thoja se Shqipëria që kemi sot nuk është rezultat i atij projekti”, deklaroi Neritan Ceka, ish-politikan.
Përse kemi devijuar, çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe?
“Ka pasur gjithmonë një divergjencë mes atij që është programi politik i një partie, asaj sesi realizohet e çorientuar nga dëshira për pushtet dhe pasuri; e sesi mbështetet më pas nga elektorati, populli, që është një masë që lëviz vazhdimisht. Jam i sigurtë se shqiptarët që kishim në dhjetor të ’90 nuk janë shqiptarët që kemi sot”, u shpreh më tej Ceka.
Historike nuk është vetëm data 20 shkurt, por i gjithë procesi që u shtri edhe më 21, kur njerëzit iu drejtuan ish-Bllokut, apo më 22, kur ndodhi revolta në ish-Shkollën e Bashkuar. Neritan Ceka ka qenë një nga protagonistët që përmbajtën turmën në një moment vendimtar…
“Natyrisht 20 shkurti nuk ishte i yni, nuk ishte i PD-së. Greva e urisë nga studentët nuk u organizua nga Partia Demokratike, edhe pse brenda saj kishte studentë që ishin pjesë e lëvizjes si Blendi Gonxhe, Azem Hajdari, por PD-ja nuk ishte për këto forma ekstreme. Ajo kërkonte të shkonte drejt zgjedhjeve në mënyrë graduale, pasi kishim konstatuar se çdo ngritje tensionesh ishte në disfavorin e PD-së. U përpoqëm të krijonim idenë e një partie që ishte për dialog, tolerancë, që ftonte të gjithë njerëzit”, kujton Ceka.
Nëse do të kthehej në kohë, a do të bënte sërish të njëjtin veprim?
“Le të flasim tani për 20 shkurtin, që ishte krejt tjetër. Kishte një grumbullim të madh të njerëzve në mënyrë spontane, sepse greva po përshkallëzohej dhe u sëmurën studentët e parë, shkuan në spital, e natyrisht kishte ndjeshmëri të madhe në popull. Aty ka qenë edhe PD-ja, kam shkuar edhe unë me të tjerë, si Berisha, Pashko, e kërkonim të gjenim zgjidhje. Zgjidhja u gjet duke i hequr emrin edhe universitetit më pas. Gjithçka ndodhi spontanisht si nëpër filma. Mjaftoi një thirrje për të shkuar në shesh dhe turma rrodhi pa kontrollin dhe nxitjen tonë. Unë dhe Berisha u shkëputëm për të shkuar në zyrat e PD-së dhe…kur arritëm ne në shesh ishte rrëzuar statuja. Ndërkohë, të kalojmë te ngjarja tek ura e Lanës. U përhap shumë shpejt një lajm sikur nomenklatura kishte organizuar ‘grusht shteti’ dhe kishte marrë pushtetin, kishte rrëzuar presidentin Ramiz Alia etj., por nuk kishte media dhe rrjete sociale si sot. Mijëra vetë shkuan te ura e Lanës, ndërkohë që roli im ishte të mbaja megafonin në dorë dhe të bëja thirrje të përmbaja turmën, ndryshe nga protestat që janë bërë para Kryeministrisë, ku partitë kanë bërë thirrje dhe nxitje që njerëzit të shkojnë drejt Kryeministrisë (apo Parlamentit). PD-ja e asaj kohe ishte për ta larguar popullin nga konfrontimi, sepse ne donim ta fitonim pushtetin me vota dhe jo me gjak”, shpjegoi Neritan Ceka.
Top Channel