Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se vënia e kufirit me Kosovën nuk është propozim zyrtar, por ide e zyrtarëve shtetërorë.
Sipas tij, nëse kjo ide bëhet propozim zyrtar, atëherë do të kalojë në Kuvendin e Serbisë, si dhe për të do të vendosin qytetarët përmes referendumit.
Megjithatë, një ditë më parë, Daçiç pati deklaruar se vënia e kufirit me Kosovën ishte propozim zyrtar i Serbisë.
Disa orë pas kësaj deklarate, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se ideja për “vënien e kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e Serbi është dhënë nga vet ai që para dy vitesh”.
“Nuk kam çfarë të komentoj. Këtë e kam thënë para dy vitesh”, tha Vuçiç në Beograd.
Çështja e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është përmendur disa herë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e quan këtë proces “korrigjim të kufijve”.
Në debatin për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, Kosovë-Serbi, janë përfshirë edhe vendet e “QUINT”-it.
Shtetet e Bashkuara mbajnë qëndrimin se do të pranojnë çdo marrëveshje, për të cilën pajtohen Kosova dhe Serbia. Mirëpo në Bashkimin Europian janë të ndarë rreth kësaj ideje, ku Gjermania kundërshton ndryshimin e kufijve si pjesë e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.
Top Channel