Nëse ëndërroni të jetoni në Greqi apo BE, tani e keni një zgjidhje. Madje një publicitet për qytetarët nga jashtë BE-së qëndron e vendosur menjëherë para Parlamentit në Athinë.

Ftesës i janë përgjigjur me kënaqësi shumë kinezë, rusë apo turq. “Kush investon në Greqi, 250 mijë euro pasuri të paluajtshme, fiton edhe një pasaportë të BE-së”. Më lirë sesa kaq, pasaporta e vendeve të unionit nuk mund të gjendet askund tjetër.

Zyrtarisht thuhet se çështja nuk është kaq e thjeshtë. Sipas zyrtarëve, ka kontrolle të rrepta që ndërmerren nga ambasadat dhe bankat, për prejardhjen e parasë dhe jetëshkrimin e njerëzve. Ka raste në të cilat verifikimi zgjat dy vite.

Megjithatë, biznesi me “vizat e arta” është në shpërthim e sipër, kërkesa rritet vazhdimisht dhe në këtë mes fitojnë edhe agjencitë imobiliare. Punonjësit e tyre presin shumë të interesuar dhe thonë se, në të vërtetë, klientët nuk interesohen shumë për shtëpinë.

“Duan thjesht të investojnë 250 mijë euro, sepse kjo u mjafton për të siguruar lëvizjen e lirë në BE”.

Në fakt, kinezët lejohen të nxjerrin vetëm 50 mijë euro për person nga vendi. Por, gjithnjë gjenden rrugë për të shmangur rregullat. Vitin e kaluar janë lëshuar 10 pasaporta, duke sjellë rreth një miliard euro në arkat greke.

Por, nuk janë vetëm kinezët të interesuar. Edhe rusët apo turqit joshen jo pak për të investuar në programin e “vizës së artë”. E në kontekstin e shitjes së pasaportave nuk mungojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash, evazion fiskal dhe largim kapitali.

Megjithatë, ky lloj biznesi, në shumë vende anëtare të BE-së është kthyer në një burim të suksesshëm të ardhurash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA