Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit vendosi të kalonte me vetëm një masë financiare, incidentet e ndodhura në stadiumin “Selman Stërmasi” në ndeshjen mes Tiranës dhe Luftëtarit.

Përballja e mbyllur në barazim 1-1 pati disa momente tensioni, e në fushë vërshuan sende të forta dhe shishe plastike ndaj një arbitri anësor, aq sa të ndërpritej loja për pak çaste.

Por, Disiplina vendosi të dënojë Tiranën, si skuadër organizatore, me 300 mijë lekë gjobë, duke u kursyer këtë radhë në dënimin e fushës, ose mbylljen e një pjese të stadiumit.

Duket se, ndeshja e radhës që Tirana do të organizojë si klub pritës, në derbin ndaj Partizanit, është dhe motivi i dënimit të butë.

Nëse do të aplikohej një sanksion i rëndë, stadiumi mund të ishte bosh në atë që është ndeshja më e pritur e futbollit kryeqytetas, e ndoshta edhe të të gjithë Superiores. Tirana, nga ana e saj i bëri thirrje tifozëve të tregojnë vetëpërmbajtje, pasi gjobat dhe mbyllja e mundshme e stadiumit dëmtojnë ekipin dhe askënd tjetër.

Top Channel