Prokuroria kërkoi arrest me burg për 14 nga 19 të arrestuarit për aktet e dhunës në protestën e së shtunës. Ata akuzoheshin për shkatërrim prone dhe kundërshtim të policisë. Por, pas disa orësh diskutimesh, gjykata shpalli pasditen e kësaj të marte vendimin; duke pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorëve.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për edicionin e lajmeve, gazetarja Anila Hoxha dha detaje mbi këtë çështje.
Gjykata vendosi për 5 prej të arrestuarve për dhunën në protestën e së shtunës masën e sigurisë “arrest me burg”, për 6 të tjerë masën e “detyrimit të paraqitjes”, ndërsa për 8 të tjerë “arrest shtëpiak”.
Florenc Hoxha u dënua me arrest me burg, sikurse edhe Ilir Ramedani, Saimir Rexhepi, Agim Peposhi, Ferit Damoshi. Ndërkohë, Emanuel Nallbani, Naim Haxhiu, Andon Gjini, David Livadhi, Festim Taku, Velion Dine, Ndue Tuci u lanë në arrest shtëpiak, kurse Suzana Dimushi, Mitat Fieraku, Luftar Jakupi, Pëllumb Çela, Shpresa Alini, Hasan Jakupi me një masë më të lehtë, atë të detyrimit me paraqitje.
E pavarësisht se për Resul Dacin u lexua vendimi për arrest me burg, gjykatësja pranoi se ishte një lapsus, teksa u komunikoi më pas avokatëve mbrojtës masën e arrestit shtëpiak, si pasojë e gjendjes shëndetësore.
Prokuroria kishte kërkuar 14 arreste me burg, ndërsa për disa persona të tjerë, për shkak të problemeve me moshën e tyre kërkoi detyrim me paraqitje.
Gjyqtarja tha se për të gjithë ata, ndaj të cilëve është vendosur detyrim paraqitjeje duhet të paraqiten një herë në javë para organeve të drejtësisë, më konkretisht prokurorisë. Menjëherë pas vendimit reaguan edhe deputetët Enkelejd Alibeaj, i cili u shpreh i pakënaqur dhe e konsideroi këtë si një vendim politik, sikurse edhe deputeti tjetër Spaho, i cili shfrytëzoi edhe praninë e medieve duke bërë thirrje për prani të shtuar në protestën e kësaj jave.
Protestuesit, gjatë masës së sigurisë patën thirrje të shumta gjatë kohës kur u vlerësua dhe u lexua kërkesa e dy prokurorëve në lidhje me ngjarjet e 16 shkurtit, gjatë protestës së opozitës në bulevard. Të pandehurit bënë thirrje që të liroheshin gjatë seancës, pasi do të kishin dëshirë të ishin në protestën e radhës, të enjten para Parlamentit.
Top Channel