Nxënës të tre gjimnazeve “Qemal Stafa”, “Servete Maci” dhe “Partizani” në Tiranë janë vetëorganizuar dhe i janë bashkuar nismës së bashkisë së Tiranes për të mbjellë pemë në parkun pranë liqenit artificial.

Madje nxënësit e “Qemal Stafës” i dedikuan pemët një mësuesje të kësaj shkolle dhe një shoqeje të tyre që kishte ditëlindjen.

“Do të thotë të kuptojmë natyrën, të kuptojmë se i kemi lidhur fatet bashkë, se kjo është një pajë për gjeneratën tjetër, se pemët e mëdha u mbollën nga prindërit e tyre kur ata ishin nxënës, kurse ata duhet të mbjellin tani për të ardhmen, për të gjithë ata që janë fëmijë sot. I jam shumë mirënjohës drejtoreshës, i uroj gëzuar ditëlindjen edhe zyshës së dalluar, edhe nxënëses ekselente sepse nuk ka mënyrë më të bukur për ta festuar ditëlindjen se sa duke mbjellë pemë të bukura në hyrje të amfiteatrit”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkie ka premtuar se këtë vit do të thyejë rekord në mbjelljen e pemëve dhe për këtë fton të gjithë qytetarët dhe bizneset ta mbështesin në këtë nismë.

“Dua t’i ftoj të gjitha shkollat, institucionet, kompanitë, Tirana ka pasur këtë vit një jehonë të jashtëzakonshme për çështje të gjelbërimit dhe të pastrimit. Qyteti nuk bëhet më i pastër duke u ankuar, por duke lënë makinën në shtëpi, duke dalë në natyrë, duke ulur ndotjen, duke mos hedhur plehra dhe duke shtuar gjelbërimin. Po i afrohemi rekordit tonë të vjetshëm dhe mezi pres që ta kalojmë në 2 muajt e ardhshëm dhe dua t’i ftoj të gjithë të na japin një dorë. Një pemë sot, është një pajë oksigjeni për të gjithë gjeneratën e ardhshme”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA