Bota e modës humbi sot njërin prej emrave më të mëdhenj të saj. Karl Lagerfeld ndërroi jetë në Paris, në moshën 85-vjeçare, gjë që i zhyti në zi adhuruesit e stilistit të madh gjerman, drejtor kreativ historik i “Chanel”-it dhe “Fendi”-t, e një prej figurave më të famshme të kësaj industrie.

Stilisti ikonë nuk ndihej mirë prej disa javësh dhe kishte munguar, si rrallë ndonjëherë, në disa spektakle të rëndësishme mode.

Ky njeri, që e adhuronte punën e tij, mendohet të ketë qenë duke krijuar deri në çastet e fundit, e madje thuhet se nga shtrati i vdekjes i ka dhënë ekipit udhëzime mbi koleksionin “vjeshtë/dimër 2019” të “Fendi”-t, i cili do të prezantohet në javën milaneze të modës.

Mesazhet e ngushëllimit kanë vërshuar lumë, si nga fansat, ashtu dhe nga emra të mëdhenj të industrisë, duke nisur nga Donatella Versace.

“Gjeniu brenda teje preku jetët e shumë njerëzve, sidomos atë të Giannit dhe timen. Nuk kemi për ta harruar kurrë talentin tënd të jashtëzakonshëm dhe frymëzimin e pakufijshëm. Ne gjithmonë mësonim prej teje”, ka shkruar ajo.

Stilisti Henry Holland postoi “online” një citim nga vet Lagerfeld. “Të stilosh do të thotë të marrësh frymë; nëse nuk marr dot frymë, atëherë jam në telashe”.

Lagerfeld kishte krijuar një “look” të tijin origjinal vitet e fundit, duke u shfaqur në publik gjithmonë me kostume të errëta, syze dhe flokët e kapur bisht. Dikur pati bërë këtë koment për pamjen e tij: Jam si një lloj karikature e vetes sime dhe kjo më pëlqen!

Top Channel