Askush në Evropë nuk do të kundërshtonte një kërkesë britanike për zgjatjen e bisedimeve mbi daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian pas afatit të 29 marsit, tha kreu i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker për Stuttgarter Zeitung në një intervistë.

Me vetëm pak javë të mbetura deri në datën e daljes, parlamenti i Britanisë nuk dëshiron të pranojë marrëveshjen e tërheqjes, që është arritur mes kryeministres Theresa May dhe BE, dhe shumë zyrtarë të Brukselit shohin shtyrjen e datës së daljes si mënyra e vetme për të shmangur largimin e Britanisë pa ndonjë marrëveshje.

“Çdo vendim për të kërkuar më shumë kohë, qëndron në tryezën e Mbretërisë së Bashkuar. Nëse një kërkesë e tillë do të bëhej, askush në Evropë nuk do ta kundërshtonte atë. Nëse pyesni për sa kohë mund të shtyhet tërheqja, nuk kam kohë për të menduar”, i tha Juncker gazetës gjermane.

Shumë zyrtarë të BE theksojnë se zgjedhjet në Parlamentin Europian në 23-26 maj dhe seanca e parë e parlamentit të ri në fillim të korrikut, krijon një afat kohor natyror për çdo zgjatje, të cilat nuk duhet të shkojnë përtej fundit të qershorit.

Juncker gjithashtu tregoi se një zgjatje e kohës së daljes mund të ishte problematike, por nuk e përjashtoi atë.

“Me Brexit shumë afate janë tejkaluar tashmë, por e kam të vështirë të imagjinoj që votuesit britanikë përsëri do të votojnë në zgjedhjet evropiane. Kjo në mendjen time do të ishte një ironi e historisë. Megjithatë unë nuk mund ta përjashtoj që britanikët mund të duan më shumë kohë”, tha ai.

“Kur është fjala për Brexit, është sikur të jemi para gjykatave ose në det të hapur, ne jemi në duart e Perëndisë. Dhe ne nuk mund të jemi fare të sigurt kur Perëndia do ta marrë çështjen në dorë”, tha Juncker.

Top Channel