Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini konfirmoi se është e gatshme të organizojë takime “maratonë” në nivel presidentësh, në mënyrë që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, ajo tha se, për momentin nuk ekzistojnë kushtet për të thirrur një takim të ri.
Sipas Mogherinit, duhet të ketë “pezullim, ose heqje të tarifës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake” nga ana e Kosovës, në mënyrë që të krijohen kushtet për një takim të ri ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç.
“Në momentin që krijohen kushtet, jo vetëm që jam e gatshme që mengjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa nevojitet: 7 ditë, një apo 3 muaj”, ka thënë Mogherini.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se, të gjithë duhet të përdorin një atmosferë pozitive, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, Mogherini tha se nuk po sheh “ndërmarrjen e veprimeve që çojnë në këtë drejtim”. Në takimin e së hënës, ndërmjet ministrave të Jashtëm të BE-së me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, nuk është diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Komentet, Mogherini i bëri pas pyetjes së gazetarëve në konferencën për shtyp pas takimit.
Top Channel