Një grup deputetësh nga Partia Laburiste në opozitë, në Britaninë e Madhe, u shkëputën të hënën, në shenjë proteste ndaj mbështetjes së udhëheqësit Jeremy Corbyn për “Brexit”-in.

Mes 7 të larguarve ishte edhe Chuka Umunna, që ka kryesuar një fushatë për një referendum të dytë që do të ndalonte “Brexit”-in, e që dikur shihej si udhëheqësi i mundshëm i partisë së qendrës së majtë.

Ky i fundit foli për një alternativë qendrore në politikën britanike, ndërsa deputetët rebelë kritikuan kthesën drejt ekstremit të djathtë të partisë, nën udhëheqjen e socialistit veteran Corbyn.

“Ky është fundi, politika është thyer. Nuk duhej të ndodhte kështu. Ne do të punojmë për ndryshim”, tha Chuka Umunna.

Shtatë deputetët e shkëputur nga laburistët do të krijojnë një grup të pavarur në Parlament, duke dëmtuar kështu Corbynin, që përpiqet ta mbajë nën kontroll partinë përballë problemit shumë përçarës të “Brexit”-it.

Shumë votues laburistë, veçanërisht në Anglinë veriore, kanë zgjedhur të dalin nga Bashkimi Europian në referendumin e vitit 2016, por një shumicë deputetësh laburistë dhe anëtarësh të partisë mbështesnin qëndrimin në bllok.

Top Channel