Për të ndihmuar financat e universiteteve, Qeveria po mendon t’u japë atyre të drejtën që të kenë kompani, përmes të cilave të veprojnë në treg.
“Do të bëjmë një ndryshim në legjislacion, VKM ose ligj, që universitetet të kenë kompani, të hyjnë në tregje me kompanitë e tyre”, tha Rama.
Gjatë një takimi me disa studentë që zhvilloi në Vlorë, kryeministri njoftoi se renditja e ekselentëve që kanë aplikuar për një vend në administratë do të publikohet pas datës 18 shkurt.
“Pas datës 18 shkurt do të bëhet renditja e aplikantëve, për të parë kush shkon ku. Ka një gjë, është urdhri im: Kur janë pikë të barabarta mes një vajze e një djali, fiton vajza”, tha Rama.
Rama foli përsëri për pedagogët dhe titujt e tyre akademikë.
“Shumica e pedagogëve nuk meritojnë të shikohen si armiq, për shkak se janë të maskuar me tituj fals. Nuk janë shumica, por pjesë e konsiderueshme. Sharlatanë që shesin titujt e që nuk e pranojnë vlerësimin e pedagogëve. Ne duam mekanizëm, që siç ju vlerësojnë profesorët juve, ashtu edhe ju të vlerësoni mësimdhënien”, tha Rama.
Sipas Ramës, ligji i Arsimit të Lartë i ka mekanizmat për verifikimin e titujve, por nuk është zbatuar.
Top Channel