Gjyqtarja Liljana Baku urdhëroi kontrollin e banesave të 3 gjyqtarëve që i dhanë 25 vite burgim Dritan Dajtit.

Me mandatin që i referohej një informacioni po të policisë, e cila dyshon se 3 gjyqtarët kanë dhënë në favor vendimin për Dajtin të tunduar nga korrupsioni, grupi operacional kontrolloi banesat e gjyqtarëve Petrit Aliaj, Aleks Nikolli dhe Skënder Damini.

Kontrollet nisën në orën 7 të mëngjesit të kësaj të premteje. Në banesat e Petrit Aliajt në Sarandë dhe të Aleks Nikollit në Lezhë nuk u konstatua asgjë e dyshimtë.

“Ndodhemi në zonën e Farkës, në banesën e gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Skënder Damini, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar dhe ka vendosur kontroll banese për të dhe për dy gjyqtarë të tjerë, Petrit Aliajn dhe Aleks Nikollin. Deri më tani, grupi operacional special ka gjetur në shtëpinë e gjyqtarit Skënder Damini 17 mijë euro. Gjyqtari vazhdon të gjendet në shtëpi, pasi po kryhen veprimet e fundit hetimore”, deklaronte gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, nga vendngjarja.

Gjatë kontrollit, gjyqtarit Damini iu gjetën gjithashtu edhe 8 fishekë, që u bënë shkak për shoqërimin e tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai doli i pafjalë nga banesa.

“Nuk po e shoqëron njeri, po hipën në makinë civile”, tha avokati i tij në dalje.

Por, avokati i tij jep një shpjegim tjetër për zbulimin e policisë.

“Vlerat monetare janë të të birit, i cili merret me biznes. Fishekët kanë qenë të Skënder Daminit, i cili ka pasur leje për armë dhe ka zotëruar një armë makarov”, tha avokati për Top Channel.

Pasi u mor në pyetje, gjyqtari u rikthye në shtëpi. Por, pavarësisht se ka kaluar një javë nga shpallja e vendimit, ai nuk është zbarhdur ende, në mënyrë që t’i hapet rrugë Prokurorisë për të bërë rekurs.

“Përveçse u bë ky kontroll banese dhe u mor si person nën hetim, nuk ka asnjë masë sigurimi ndaj tij. Por, fakti që ende nuk ka dalë vendimi, e pikërisht për këtë vendim ndaj tij ka nisur çështja penale, si mundet ky të vazhdojë të zbardhë këtë vendim?”, pyeti avokati Ferdinand Doja.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetime për të 3 gjyqtarët për çështje korrupsioni, pasi ata ishin në shumicë për të pëmbysur vendimin e përjetshëm ndaj Dajtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA