Drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio është ndalur gjatë për të shpjeguar vendimin e marrë nga shoqëria zikaltër, për t’i hequr shiritin e kapitenit, sulmuesit argjentinas, Mauro Icardi.

Në prag të ndeshjes me Rapidin e Vjenës, në të cilën Icardi refuzoi të vihej në dispozicion të trajnerit, Ausilio pranoi se sjellja e argjentinasit nuk kishte qenë e denjë gjatë kësaj kohe.

“Nuk na ka pëlqyer mënyra se si sillej, për përgjegjësinë që kishte si kapiten, por në shumë raste e kishim toleruar. Megjithatë erdhi një moment që duhej ndërhyrë dhe të gjithë bashkë vendosëm të bëjmë një hap pas, që mendojmë se do të na çojë 10 hapa para në të ardhmen. Nëse je kapiten i një skuadre, por jo vetëm, duhet të tregosh respekt për klubin dhe për gjithë ambientin e punës, gjëra të cilat Icardi i kishte neglizhuar së fundi”, tha Ausilio.

Më pas Drejtori Sportiv theksoi edhe një herë se askush nuk i vë në diskutim aftësitë e argjentinasit në fushën e lojës dhe se negociatat për rinovimin e kontratës së Icardit, do të vijojnë pavarësisht asaj që ka ndodhur.

“Negociatat për rinovimin e kontratës, patjetër që do të vijojnë ashtu siç ne e kemi parashikuar, pasi askush nuk i vë në diskutim aftësitë sportive të Mauros. Thjesht i hoqëm shiritin, pasi sjellja e tij jashtë fushës, nuk ishte në lartësinë e kapitenit të Interit”, deklaroi Ausilio.

Drejtori Sportiv i zikaltërve theksoi edhe njëherë se Icardi nuk kishte probleme fizike, por refuzoi të udhëtonte me skuadrën në Vjenë, ndërsa tha se vetëm pas rikthimin në Milano, shoqëria do të analizojë sjelljen e argjentinasit.

Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes, sulmuesi zikaltër reagoi nëpërmjet një statusi në Instagram, ku ka përdorur një shprehje të Mark Twain, mesa duket për të shigjetuar drejtuesit e Interit, për deklaratat e dy ditëve të fundit.

“është më mirë të mbash gojën mbyllur dhe të dukesh si budalla, sesa të flasësh dhe të heqësh çdo dyshim”, shkroi Icardi, i cili në një postim të mëvonshëm, uroi edhe Lautaro Martinezin për golin që vendosi fatin e takimit ndaj Rapidit të Vjenës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA