Kontratat e trajnerëve më të njohur, në skuadrat e mëdha të futbollit europian, përpilohen nga studiot më të mira ligjore, në bashkëpunim me interesat e klubeve.
Por, brenda tyre ka klauzola që imponojnë pagesa të çmendura, në rast të shkarkimeve apo moszbatimit të pikave të përfshira. I tillë ishte dhe rasti i Jose Mourinhos.
Në bilancin e fundit 3-mujor të Manchester United bie në sy se, largimi i teknikut portugez kushtoi 22 milionë euro. “Djajtë e kuq”, që kuotohen në bursën e “Wall Street”-it, detyrohen të bëjnë transparencë maksimale të kostove, e këtë e konfirmuan edhe me pankinën.
Mourinho u largua pas dy sezonesh e gjysmë prej rezultateve negative, por sakrifica ekonomike për vendimin e familjes Glazer i korrespondoi një çeku 22 milionësh. Kjo shumë, gjithsesi është pak për një “makineri” të jashtëzakonshme tregtare, si ajo e skuadrës nga “Old Trafford”.
Portugezi është një trajner që ka përmirësuar dukshëm llogarinë e tij në bankë prej shkarkimeve, pasi vetëm nga Chelsea ka përfituar rreth 35 milionë euro. Nëse këtyre i shtohet edhe largimi i negociuar nga skuadrat e tjera, atëherë ndoshta Mourinho fiton një podium aspak të lakmuar, por të mbuluar me miliona në futbollin e ditëve të sotme.
Top Channel