Dhjetëra mijëra demonstrues bllokuan rrugët kryesore në Buenos Aires të mërkurën, ndërsa marshuan për të protestuar ndaj papunësisë së lartë dhe politikave të drejtuesit të qendrës së djathtë argjentinas Mauricio Macri, duke përfshirë shkurtime për subvencionet e shërbimeve publike.
Shumica e argjentinasve, që tashmë janë duke u ballafaquar me inflacion të lartë dhe një recesion, janë goditur nga faturat më të larta të ujit, dritave dhe ngrohjes, ndërsa Macri ul shpenzimet e qeverisë. Shkurtimet bien nën një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të fshirë deficitin fiskal primar të Argjentinës deri në fund të këtij viti.
Një protestues, i cili e identifikoi veten si Alberto, mori pjesë në marshimin në qendër të qytetit Buenos Aires me vajzën e tij 1-vjeçare. Ai tha se ishte atje, sepse nuk mund të gjente punë dhe tha se familja e tij mori shumë pak mbështetje shtetërore.
“Nëse nuk ka punë, nuk do të kem asgjë për të lënë pas për fëmijët e mi”, i tha ai një gazetari. Macri pritet të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit, kur ai mund të përballet me një sfidë nga paraardhësja e tij, Cristina Fernandez, një favoriste e opozitës së majtë të Argjentinës.
Nën një qiell të verdhë të Hemisferës Jugore, protestuesit bartën parulla me fotot e udhëheqësit revolucionar marksist Che Guevara, ndërsa të tjerë përshëndetën ish presidentin e Argjentinës Juan Peron dhe gruan e tij ikonike, Evita.
Protestat janë të zakonshme në Argjentinë, ku sindikatat e punës ballafaqohen me rritjen e pagave, në përputhje me rritjen e shpejtë të çmimeve të konsumit. Inflacioni në fund të vitit të kaluar ishte 47.6 për qind, më i larti në një periudhë 27-vjeçare.
Top Channel