Si gjithmonë përpara zhvillimit të mitingjeve politike, e veçanërisht atyre që rrezikojnë të përshkallëzojnë në akte dhune për shkak të situatës që krijohet para, gjatë dhe pas tyre, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka njoftuar shtetasit amerikanë të jenë vigjilentë, e nëse munden, të shmangin praninë e tyre në zonat e grumbullimit të turmave.
Në njoftimin që mban datën e sotme, e enjte 14 shkurt, Ambasada njofton shtetasit amerikanë, e jo vetëm, të bëjnë kujdes veçanërisht në pikat e grumbullimit të njoftuara paraprakisht nga organizatorët e protestës, por pa u kufizuar vetëm në to, si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë; zona e kryqëzimit të “Zogut të Zi”; Qyteti Studenti dhe zona përreth stadiumit “Selman Stërmasi”.
Amerikanët që jetojnë e punojnë në Shqipëri njoftohen mbi organizimin e demonstratës së thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar, për të shtunën më 16 shkurt, me turmat e njerëzve që do të mblidhen nga rrethet në pikat e sipërpërmendura, për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë rreth orës 11 të paradites.
“Turma synon të demonstrojë kundër qeverisë shqiptare, ndërsa kohëzgjatja e protestës nuk dihet”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA, që udhëzon personelin e selisë diplomatike dhe pjesëtarët e familjeve të tyre të shmangin të gjitha pikat e grumbullimit apo vendndodhjet ku do të kalojnë demonstruesit.
Gjithsesi, shtetasit amerikanë udhëzohen gjithashtu të informohen vazhdimisht nga njoftimet e medieve, të ruajnë vigjilencën ndaj njerëzve që i rrethojnë, të shmangin turmat dhe të ruajnë profil të ulët, për të mos rënë në sy si shtetas të huaj.
Top Channel