Sot në mbrëmje do të luhen dy ndeshje të tjera të Ligës së Kampioneve.

Në “Johan Cruyff Arena” të Amsterdamit, Ajax pret Realin e Madridit. Ajaxi nuk arrinte të kualifikohej për në fazën e 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve që nga sezoni 2005/2006, ndërkohë që Reali është fituesi i 3 edicioneve të fundit të këtij kompeticioni. Kjo sfidë është jubilare për kapitenin e madrilenëve, Sergio Ramos, i cili do të luajë ndeshjen e tij të 600 me fanelën e Realit të Madridit. Reali vjen në këtë ndeshje në një formë shumë të mirë, pasi ka regjistruar një sërë rezultatesh pozitive në kampionat, ndërkohë që krejt ndryshe ndodh me Ajaxin që në sfidat e fundit është shfaqur i brishtë në mbrojtje dhe këtë e tregon fakti që në 4 ndeshjet e luajtura në këtë vit ka pësuar 11 gola, ndërkohë që në 17 javët e para të kampionatit holandez kishte 14 gola të pësuar.

Në Wembley të Londrës do të vihen përballë Tottenham dhe Borussia Dortmund. Është kjo një ndeshje ku të dyja skuadrat vijnë me mungesa. Te skuadra londineze nuk do të jenë në fushën e lojës mungesa me shumë peshë siç është mesfushori Dele Alli e sidomos sulmuesi Harry Kane, i cili ende nuk është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi. Nuk janë më pak të rëndësishme mungesat te Borussia Dortmund e trajnerit Le Favre, që do të duhet të bëjë pa Reus, Paco Alcacer dhe Piszczek. Kjo do të thotë se kjo përballje me shumë gjasa do të fitohet nga skuadra që do të kompesojë më mirë këto mungesa.

Top Channel