Futbollisti argjentinas Emiliano Sala, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti ajror mbi kanalin e La Manshit, vdiq pas goditjeve të rënda në kokë dhe në trup.

Autopsia për sulmuesin e sapoblerë të Cardiffit zbuloi edhe shkaqet e tragjedisë që tronditi botën sportive muajin e kaluar, e që e ktheu thuajse në një mision të pamundur zbardhjen e ngjarjes.

Plagët e marra nga rrëzimi i avionit “Piper Malibu” në ujërat e akullta në det, ishin fatale për jetën e futbollistit dhe të pilotit që drejtonte mjetin fluturues. Autopsia në trupin e nxjerrë nga avioni më 4 shkurt, pas kërkimeve intensive, treguan dëmtimet e rënda, ndërsa Sala u njoh vetëm nëpërmjet gjurmëve digjitale.

Një dosje e plotë hetimore nga Dega e Hetimeve Ajrore në Britaninë e Madhe nuk do të publikohet për të paktën 6 muaj. Ndërkohë, familja e pilotit të ndjerë, David Ibotson, nuk është dorëzuar për të gjetur trupin.

Vajza e pilotit tha se familja ka mbledhur deri më tani 140 mijë paund, për të financiar një operacion kërkimi privat, që kushton të paktën dyfishin e kësaj shume.

Ndërkohë, mbetet temë diskutimi pagesa prej 15 milionë eurosh që duhet të bëjë Cardiff City ndaj Nantes. Uellsianët këmbëngulin të mos paguajnë, sepse nuk morën kurrë shërbimet e lojtarit, ndërsa francezët i qëndrojnë të zezës mbi të bardhë, kontratës me sulmuesin fatkeq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA