Vizita në Kosovë e gjeneralit amerikan të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr, është anuluar për shkak të tarifës së vendosur nga ekzekutivi kosovar ndaj prodhimeve serbe, si dhe refuzimit të qeverisë për heqjen e tyre.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama e njoftoi përmes një letre presidentin Hashim Thaçi për anulimin e kësaj vizite, duke e cilësuar një lajm jo të mirë për vendin.
Në letër thuhet se, zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar se Uashingtoni po shqyrton edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, megjithatë, nuk ka komentuar për masat e paralajmëruara.
“Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, thuhet në përgjigjen e dhënë prej saj, “Zërit të Amerikës”.
Por, edhe vet pezullimi i vizitës së gjeneralit është tregues i qartë i pakënaqësisë amerikane me taksën, që ka nxitur Beogradin të ngrijë procesin e dialogut me Prishtinën.
Orr duhej të qëndronte në Kosovë me rastin e përvjetorit të 11 të pavarësisë. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar në vazhdimësi Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Por, kërkesa amerikane ka shkaktuar ndërkohë përplasje brenda vet koalicionit qeveriesës. Kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngul që taksa të mbetet në fuqi, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, ndërsa kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, ashtu si dhe presidenti Thaçi, kanë kërkuar që t’iu vihet veshi thirrjeve të aleatëve.
Top Channel