Nuk kanë të ndalur protestat kundër Aleksandar Vuçiçit në Serbi. Mijëra vetë dolën sërish mbrëmjen e së shtunës në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera serbe, duke shënuar kështu javën e dhjetë të presionit ndaj presidentit serb për të dhënë dorëheqjen.
Protestat po zhvillohen nën moton #1nga5milionë, një thirrje që u vendos pasi Vuçiç vitin e kaluar kishte thënë për protestat e qytetarëve, se ai nuk do të tërhiqet edhe nëse dalin 5 milionë persona.
“Unë dua ndryshim të pushtetit, sepse këta njerëz kanë vrarë shpresën e kanë zhytur vendin në errësirë, duke na çuar në një situatë të dëshpëruar. Por ajo që po ndodh tani është e mrekullueshme, sepse më në fund kemi shpresë sërish”, tha një grua protestuese.
“Bashkimi Europian duhet t’i japë fund mbështetjes për njeriun që mban pushtetin dhe pastaj ne do ti zgjidhim vetë problemet tona në mënyrën që na intereson më shumë”, tha një tjetër protestues.
Protestës në kryeqytet iu bashkuan edhe studentët e Universitetit të Beogradit, të cilët bënë thirrje për dorëheqjen e ministrit të Edukimit, Mladen Sarçeviç.
Ky i fundit, një muaj më parë kishte dalë kundër një grupi profesorësh universitarë, që e kanë përkrahur lëvizjen kundër presidentit, duke i cilësuar si “njerëz që nuk kanë peshë”.
Protestuesit e akuzojnë kreun e shtetit për shkelje të lirive demokratike, kontroll ndaj mediave, si dhe për goditjet ndaj kundërshtarëve politikë. Vuçiçi ka mohuar këto akuza. Protestat u ndezën kur një grup njerëzish sulmuan e rrahën politikanin opozitar, Borko Stefanoviç, nëntorin e vitit të kaluar.
Top Channel