Ka ende shumë punë për të bërë, përpara samitit të ardhshëm mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un.
Të paktën kështu është shprehur këtë të shtunë i dërguari i Uashingtonit, Stephen Biegun, i cili shtoi se 3 ditët e bisedimeve përgatitore në Penian, që përfunduan të premten, ishin produktive, por ende lipset më shumë dialog përpara samitit të programuar për në Vietnam, në datat 27 dhe 28 shkurt.
Biegun informoi ministren e Jashtme të Koresë së Jugut, Kang Kyung-hwa, mbi vizitën e tij në Penian, duke konfirmuar gjithashtu se samiti do të mbahet në kryeqytetin vietnamez, Hanoi.
“Kemi ende një punë të vështirë për të bërë me Korenë e Veriut. Por kam besim se, nëse të dyja palët mbeten të angazhuara, ne mund të arrijmë progres real këtu. Nuk e dimë se ku do të përfundojë, por jemi në mesin e një bisede…diskutimet tona me Penianin ishin produktive”, tha Biegun, përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara në Korenë e Veriut.
Ndërkohë, koreano-jugori Kang i tha Biegunit se Shtetet e Bashkuara kanë “mbështetjen e plotë” të Koresë së Jugut për këtë samit. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, Biegun do të takohet sërish me zyrtarët e Penianit, përpara se të zhvillohen bisedimet Trump-Kim Jong-un.
I pari që njoftoi se vendi ku do të mbahej takimi i dytë, Hanoi, ishte vet presidenti Trump përmes “Twitter”-it, teksa tha se “mezi pret të ritakohet me kreun Kim dhe të avancojë kauzën e paqes”.
Pas samitit historik të Singaporit, vitin e kaluar, shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut nxorën një dokument të formuluar në mënyrë të paqartë, ku Kim Jong-uni zotohej të punonte drejt “denuklearizimit të gadishullit Korean”. Por, progresi është ndalur prej atëherë, pasi dy palët nuk kanë të njëjtin interpretim mbi domethënien e këtij zotimi.
Top Channel