Role mishi nga Madagaskari, qafa derri nga Laosi, qebap pule nga Lesoto! Jo shija, por politika është ajo që përcakton menynë në restorantin “Korcagin” në Beograd, i cili shërben ushqime vetëm nga vendet që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur.
Në një reportazh të agjencisë së lajmeve “AFP”, bërë një fundjavë të kohëve të fundit, familjet serbe mbushën lokalin për të shijuar jo kuzhinën tradicionale ballkanase të rënduar me mish, por karkaleca deti me salcë portokalli.
Ajo faturohej si një pjatë kombëtare e Palaut, një arkipelag shumë pak i njohur në oqeanin Paqësor, që muajin e kaluar u bë vendi i fundit në botë që revokonte njohjen e Kosovës.
“Tashmë kushdo në Serbi e njeh Palaun”, tha Vojin Çuçiç, pronari 29-vjeçar i “Korcagin”, që ofron çdo të dielë një specialitet nga një vend që refuzon shtetësinë e Kosovës.
Dy dekada pasi shteti i dytë me shumicë shqiptare u shkëput nga Serbia, falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy vendet fqinje janë ende të gozhduar në një betejë të nxehtë për njohje.
Kosova është njohur nga më shumë se 100 vende, përfshi këtu edhe pesha të rënda si Shtetet e Bashkuara apo shumica e vendeve të Europës Perëndimore, që prej deklaratës së Pavarësisë së vitit 2008.
Por, kjo shifër është vetëm pak më shumë sesa gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, ku aderojnë 193 vende në total, teksa në kampin tjetër radhiten kombe të fuqishme si Rusia dhe Kina.
Beogradi po lufton në mënyrë aktive të zerojë arritjet e Prishtinës, me ministrin e Jashtëm serb që shihet shpesh të trumpetojë vendet e fundit që ndryshojnë vendim për marrëdhëniet ndërshtetërore. Pavarësisht se shumica prej tyre janë vende, për të cilat kushdo do të vuante t’i gjente në hartën e botës, si Unioni i Komorosit, Surinami apo Palau.
Të mëdhenj apo të vegjël, këto vende ndajnë një “fan base” në “Korcagin”, muret e të cilit janë mbushur me foto të epokës së Jugosllavisë, flamuj dhe relike të vjetra të kohës kur Serbia dhe Kosova ishin pjesë e një federate shtetesh.
Deri më tani, kuzhinierët kanë përgatitur më shumë se 70 pjata të huaja, duke preferuar më së shumti ato vende që e kanë njohur fillimisht e më pas kanë tërhequr njohjet e shtetit të Kosovës. Çuçiç, i cili e ka trashëguar restorantin prej të atit, thotë se është i motivuar nga patriotizmi.
“Nëse Shtetet e Bashkuara do të tërhiqnin njohjen, do të ofronim 3 ditë pije falas”, thotë ai duke buzëqeshur.
Prishtina këmbëngul se njihet nga 116 vende, ndërsa realitet është diku rreth kësaj shifre. “Kjo nuk është asgjë tjetër veçse propagandë serbe”, thotë Jetlir Zyberaj për AFP-në, një këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli. Disa vende kanë konfirmuar tërheqjen e njohjes, ndërsa të tjera ose nuk janë deklaruar, ose kanë hedhur poshtë pretendimet e Serbisë.
Siç ndodhi për shembull qershorin e vitit të kaluar, kur Serbia mbeti me fytyrë të skuqur pasi njoftoi se Liberia kishte tërhequr njohjen, me vendin afrikan që lëshoi më pas një deklaratë duke korrigjuar raportimin nga Beogradi.
Beogradi, ministri i Jashtëm i të cilit refuzoi të komentonte, shpesh trumpeton synimet për të forcuar bashkëpunimin me shtetet e vogla, por detaje konkrete vështirë se mund të mësohen.
“Fëmijët e mi shpesh më pyesin se ku janë këto vende, por këto shtete kanë të njëjtat të drejta vote në OKB si Kina”, ka thënë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, së fundi për mediet lokale.
Boban Stojanoviç, analist politik në Beograd, thotë se lojërat me njohjet reflektojnë përpjekjet e qeverisë “për t’i treguar publikut se Serbia po bën diçka” në lidhje me Kosovën. “Por, në termat e marrëdhënieve ndërkombëtare, këto vende nuk kanë aspak ndikim në statusin e përgjithshëm të Kosovës”, shtoi ai.
Prej vitesh tashmë, Beogradi dhe Prishtina janë përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, që synojnë të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre. Por, premtimet e pambajtura dhe provokimet e shpeshta kanë bërë që progresi të ndalet po aq shpesh.
Top Channel