“Wanda Metropolitano” është arena ku do të luhet derbi i Madridit, mes Atleticos dhe Realit, dy skuadrat që mbajnë vendin e dytë dhe të tretë në klasifikimin e La Ligës.
Atletico Madrid do të kërkojë të harrojë humbjen e javës së kaluar, e të konsolidojë pikërisht vendin e dytë në renditje. Ata që do ta përjetojnë në mënyrë të veçantë këtë derbi janë Alvaro Morata dhe Thibaut Courtois.
Sulmuesi spanjoll do të luajë në këtë sfidë si kundërshtar i “Los Blancos”-ve, me të cilët është aktivizuar deri para pak sezonesh. Në krahun tjetër është Courtois, që me fanellën e Realit të Madridit do të ketë përballë të kaluarën e tij, Atleticon.
Reali i Madridit ka të ngjarë që në këtë sfidë të luajë me të njëjtin formacion si në sfidën e “Camp Nou”-t, me Barcelonën në Kupën e Mbretit, me ndryshimin e vetëm që në portë do të jetë Courtois dhe jo Navas.
Derbi mes Atleticos dhe Realit është një sfidë edhe në fushën e financave, ku krahasohen vlerat në merkato të lojtarëve të të dyja skuadrave. Nga të dhënat e “Transfermarkt”, vlera e lojtarëve të Atleticos është rritur që nga momenti i ardhjes në pankinë i Diego Simeones, duke e shkurtuar ndjeshëm diferencën me Realin.
Aktualisht vlera e lojtarëve të Atleticos ka shkuar në 905 milionë euro dhe është vetëm 68.5 milionë euro larg asaj të futbollistëve të Realit të Madridit. Kur flitet për derbin e Madridit, është diçka normale të mendosh marrjen e masave të forta të sigurisë. Sfida e sotme nuk bën përjashtim, pasi do të jenë 1.117 forca policore e sigurie, që do të kujdesen për mbarëvajtjen e kësaj supersfide.
Top Channel