Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Policinë e Shtetit se u rreshtua në anën e përdhunuesve dhe fshehu krimin, duke iu referuar rastit të rëndë të shënuar në qytetin e Kavajës, ku një e mitur 13-vjeçare kishte kryer marrëdhënie seksuale në grup nën shantazhin e publikimit të videove intime me shokun e saj të shkollës.
“Sot keni para jush mazhorancën e përdhunuesve. Krimi i shëmtuar që ndodhi në qytetin e Kavajës, një përdhunim kolektiv, u fsheh nga policia që u radhit në anën e përdhunuesve. Kryeministri ishte nën anën e tyre dhe vasalët e tij heshtën. Përsëritën të njëjtin skenar si 3 muaj më parë, me djalin e deputetit të tyre (shënim: Rrahman Rraja i Krujës). Ishte i njëjti skenar si në rastin kur një e sëmurë me SIDA akuzoi kreun e grupit socialist për përdhunim”, tha Berisha.
Por, i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili nga foltorja e Kuvendit tha se rasti i Kavajës është trajtuar nga policia që në momentin e parë që ka marrë dijeni. Sipas Lleshajt, policia reagoi në datën 29, pas denoncimit të familjarëve, dhe e referoi çështjen në Prokurori.
“Akuzat ndaj Policisë së Shtetit janë të pabaza dhe dashakeqe. Policia reagoi në momentin zero, sapo mori dijeni mbi ngjarjen, ndërkohë që bërja e saj publike ka ardhur pasi policia e referoi çështjen në hetuesi. Publikimet në rrjetet sociale kanë ndodhur pasi janë bërë arrestimet e përdhunuesve”, tha ministri Lleshaj, i cili në një replikë me ish-kryeministrin që e quajti vasal, i kujtoi këtij të fundit se nuk i ka duart të lyera me gjak.
Sipas Berishës, “ky vasal merr përsipër të mashtrojë në vend që të marrë masa, duke zbatuar urdhrin e Edi Ramës për të fshehur krimin e ndodhur në tetor”. Berisha theksoi gjithashtu se policia kishte reaguar vetëm pas denoncimit që u bë në rrjetet sociale.
Top Channel