Të dhënat e siguruara nga Top Story, tregojnë se popullsia e burgjeve në vitet e fundit ka pësuar një rritje të vazhdueshme. Referuar këtyre statistika, shohim që nga viti 2013 e deri më sot, kemi një rritje me 10 % të të burgosurve.
Mbipopullimi në burgje paraqet një shqetësim serioz për administratën e burgjeve, e cila duhet të sigurojë strehim të përshtatshëm dhe të përmbushë nevojat bazike të jetesës për një fluks gjithnjë e më të madh të burgosurish.
Faktorët e rritjes së numrit të të dënuarve, janë të ndryshëm.
“Në burg bien njerëzit padrejtësisht, ne kemi gjyqtarë, prokurorë të cilët nuk dënojnë ata që bëjnë krime serioze dhe të rënda, në bazë të një pagese apo me mjete korrupsioni, ata kriminelët e vërtetë gjejnë mënyra se si ti shpëtojnë burgut, por fatkeqësisht në këtë vend, kemi prokurorë dhe gjykatës që në këmbim të korrupsionit janë gati të fusin në burgë dhe njerëz të pafajshëm”, tha Ergys Mërtiri, Sociolog.
“Kemi burgosje për shkak të vjedhjeve, që është një arsye ekonomike, kemi burgosje për shkak të trafiqeve, që është një arsye e paligjshme për të krijuar një kapital ekonomik, kemi kanosje, kërcënime, vrasje qoftë për shkak të borxheve. Prap kemi një element ekonomik. Vijnë për shkak të pamundësive ekonomike, për të garantuar jetesën në mënyrë të ndershme, por dhe për shkak të formimeve jo të duhura, jo të mira sociale që kalojnë pastaj në krime apo vepra penale që janë të dënueshme”, tha Ermal Tehlja, Ekspert Ekonomie.
Deri më sot, nuk është bërë asnjë analizë e hetimeve, që të tregojnë shkaqet e krimit. Ky hetim do të ndihmonte padyshim në hartimin e një politike penale kombëtare dhe parandaluese.
Sipas ndryshimeve që pësoi Kodi Penal në vitin 2014, një numër veprash penale, për të cilat mund të jepej në mënyrë alternative dënimi me gjobë, sot dënohen vetëm me burg.
Të tilla janë dënimet për veprat penale qesharake, që nga shkelja e qarkullimit rrugor, vjedhja e energjisë elektrike apo ndërtimet pa leje. Këtë e tregojnë edhe statistikat e siguruara nga Top Story.
Vetëm gjatë një viti janë dënuar 526 persona për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, dhe 3372 persona për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Pra, ambjentet e paraburgimit janë tejmbushur me këta të burgosur.
Dënime të tilla, kanë shkaktuar në disa raste edhe tragjedi të rënda familjare. Mjafton të kujtojmë aksidentin e ndodhur në maj të vitit 2016, ku një makinë u përplas në aksin Plepa-Kavajë. Për pasojëhumbën jetën dy fëmijët 3 dhe 5 vjeç, të cilë po udhëtonin bashkë me nënën e tyre për të takuar babain e mbajtur në paraburgim për një ndërtim pa leje.
“Shumica e popullatës të sistemit të burgjeve, janë të dënuara, të cilat i përkasin kategorive vunerabël të dënuar për vepra të zakonshme jo detyrimisht me rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, shprehet Erinda Skendaj.
“Në Shqipëri, në 100 çështje që shkojnë në gjykatë, 97 marrin fajësi, dhe 2 ose 3 mund të marrin pafajësi. Është gjendja skandaloze, që do të thotë se të gjithë paragjykohen përpara se të gjykohen”, tha Saimir Vishaj, Avokat Penalist.
“Ne shohim individ që vjedhin kapakët e rrugëve që vlejnë shumë herë më pak dhe dënohen me dhjetëra vite burg duke filluar nga të miturit dhe ne sot kemi pushtetarë që vjedhin shumë herë më tepër dhe nuk dënohen asnjë ditë burg”, tha Denada Toçe, Psikologe.
“Kjo lloj klime kërcënimi, shantazhi, me ligje që ushtrojnë dhunë me forcë mbi të dobtin, i bën njerëzit që të mos e shohin shtetin si diçka të tyre. I bën ata ta shohin shtetin si armikun e tyre, si diçka me të cilën ata janë në rivalitet, në luftë për mbijetesë “, tha Ergys Mërtiri.
Vetëm dënimet alternative mund të rregullojnë uljen e numrit të të burgosurve. Pra, nëse arrestohet një person për konsumim të tepër të alkoolit gjatë drejtimit të automjetit, ndaj tij do të ishte më e vlefshme të jepej dënim alternativ, si shërbim ndaj komunitetit me punë të detyrueshme.
“Edhe prokuroria edhe gjykata mendoj që duhet të luaje një rol më të mirë në këtë drejtim, sepse legjislacioni ynë procedurial, parashikon dënime alternative, parashikon masa alternative të arrestit në burg. Jo detyrimisht një person duhet të shkojë, të arrestohet me burg, ku ai mund të qëndrojë në shpi dhe të ketë forma të tjera të mbikqyrjes elektronike që ky person mos ti shpëtojë organeve të drejtësisë”, tha Erinda Skëndaj.
“Por duhet parë dhe kjo pjesa e ndëshkueshmërisë dhe padrejtësisë në ndëshkueshmëri, a janë të gjithë këta të ndëshkuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, tha Denada Toçe, Psikologe.
Shërbimi i provës, është gjithashtu një tjetër mjet i dënimit alternativ në sistemin penitenciar. Në një vepër penale jo të rrezikshme, i dënuari mund të mbahet nën mbikqyrje, pa qenë e nevojshme që të kryejë dënimin në burg.
Në këtë mënyrë, të dënuarit kanë mundësi të riintegrohen në shoqëri duke bërë një jetë të barabartë me qytetarët e tjerë, por nën monitorim për një periudhë kohe.
“Në Shqipëri qëllimi dhe përpjekja është në këtë drejtim, do të thotë që burimet financiare apo shtrirja me burime njerëzore në territor, e bën të vështirë që të arrij këtë qëllim”, Ilir Qafa, Drejtor i Shërbimit të Provës.
Në burgjet e vendeve të ulëta, të cilat janë si modeli më i suksesshëm në Europë, rehabilitimi i një të burgosuri, nis që në fazën e gjykimit.
Psikologë, sociologë dhe shumë nëpunës të tjerë, vihen në dispozicion të dënuarit, që të kuptojë peshën e fajit dhe të integrohen në shoqëri.
Top Channel