Pas grindjes me fqinjin, tenton të vrasë policët. Arrestohet 69-vjeçari

06/02/2019 14:40

Një konflikt mes dy shtetasve në qytetin e Korçës mund të ishte përshkallëzuar në një ngjarje me pasoja tejet të rënda, nëse policia nuk do të ndërhynte në kohë dhe me profesionalizëm.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së martës, kur një i dehur, me precedentë të mëparshëm penalë për “vjedhje” apo “dhunë në familje”, po konfliktohej me një tjetër banor të lagjes nr. 4 në qytetin juglindor, duke shqetësuar banorët e tjerë që telefonuan për ndihmë policinë.

Me të mbërritur në adresën në fjalë, efektivët mësuan se një 69-vjeçari i dehur, pas grindjes me 47-vjeçarin ishte larguar për në banesën e tij dhe për të marrë një armë zjarri. Pasi janë drejtuar për në shtëpinë e tij, efektivët janë vënë në shënjestër të armës automatike, por që fatmirësisht rezultoi e bllokuar, duke mos realizuar qitjen.

Policia arrestoi në flagrancë autorin e kësaj ngjarjeje, sikurse sekuestroi armën e zjarrit dhe 88 fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje, ndërkohë që ndaj tij rëndojnë tashmë akuzat e “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve e municionit”.

Top Channel