Mes ëndrrave për të rrëmbyer Anthony Davis, por që në realitet merr Reggie Bullock nga Detroiti, Los Angeles Lakers, me LeBron Jamesin në parket për 30 sekonda, pësojnë një disfatë për të mos u harruar: plot 42 pikë diferencë nga Indiana Pacers.

Ndryshe nga kalifornianët, Toronto fiton përballjen e dytë radhazi, këtë herë duke shpartalluar Philadephian, që ëndërronte t’i afrohej kryesimit në Konferencën e Lindjes.

Por të qëndrojmë te Indiana-Lakers 136-94!

Një disfatë të tillë, kalifornianët nuk e kishin pësuar ndonjëherë, as në 18 sfidat e luajtura pa LeBron Jamesin, i konsideruar me meritë “mbreti” i basketbollit amerikan. Me më të fortin nga të gjithë në parket, Lakers fundosen në Indianapolis nga Pacers, me këta të fundit që arrijnë fitoren e tretë radhazi pa më të mirin e tyre, Victor Oladipo.

Një rezultat shqetësues për Lakers, aq sa është ende e vështirë të besohet një diferencë e tillë, mes një skuadre të lëkundur nga zërat e merkatos në kërkim të qartësive, të cilat nuk i ka gjetur as te LeBroni (18 pikë, 7 topa në tabelë dhe 9 asiste në vetëm 30 sekonda), dhe Indianës, që pas tronditjes së pësuar nga dëmtimi i tmerrshëm i njeriut simbol të tyre, e rigjen veten përmes lojës së grupit.

Në atë që mund të konsiderohet si fitorja më e mirë sezonale në një ndeshje të luajtur perfekt nga fillimi në fund, e që praktikisht ishte mbyllur që në pushim, Pacers panë plot 7 lojtarë të regjistronin statistika dyshifrore, duke “keqtrajtuar” kundërshtarët me një supermbrojtje dhe duke transformuar në 33 pikë, 19 topat e humbur nga kalifornianët.

Kjo disfatë e Lakersave është shumë domethënëse. Tashmë, skuadra e Walton lundron në ujëra të turbullta, me 27 fitore e 27 humbje, rekordi më i keq prej 10 nëntorit, duke u renditur në vendin e 10 në Konferencën e Perëndimit dhe gjithnjë e më larg nga “play off”-et, ndërkohë që 15 nga 28 përballjet e fundit do t’i luajë jashtë impiantit të vet.

Top Channel