Nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në aleancën ushtarake perëndimore, NATO, e kanë përshëndetur këtë të mërkurë edhe kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, kryetari i opozitës Lulzim Basha, por edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Shqipëria dhe 28 aleatët nënshkruan sot protokollin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO! Urime udhëheqësve politikë vizionarë dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për këtë arritje të merituar, që nxit përparimin e mëtejshëm të vendit, rrit sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe forcon Aleancën e vlerave të përbashkëta Transatlantike. Vendimi i duhur, në kohën e duhur!”, shkruan presidenti Meta.

  Maqedonia e Veriut në NATO, nënshkruhet protokolli. Greqia e voton të premten

“Përshëndes nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një ngjarje e madhe për rajonin tonë. Zgjerimi i NATO-s në Ballkan është një kontribut përcaktues për sigurinë, paqen dhe vlerat e demokracisë. Ndihem krenar që në këtë arritje të madhe, faktori politik dhe vullneti i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut mbështetën dhe përcaktuan pa hezitim këtë arritje historike”, shkruan kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Një mesazh dha edhe ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati.

“Firmosja e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është dëshmi e triumfit të vlerave euroatlantike në rajonin tonë. Vizioni dhe përkushtimi i dëshmuar përmes dialogut të dy fqinjëve tanë për tejkalimin e mosmarrëveshjes, që mbajti pezull për gati 3 dekada perspektivën e integrimit euroatlantik, ia doli të lërë pas ndasitë e së shkruarës dhe të projektojë një të ardhme më të sigurtë e begatë për rajonin, Europën dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut. Përgëzime të gjithë atyre që punuan për të bërë të mundur këtë arritje historike, veçanërisht faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që vijimësisht ka punuar për ankorimin në rrjedhat euroatlantike. Shqipëria mbështet gjithnjë një Maqedoni të Veriut multietnike, demokratike, të anëtarësuar në NATO dhe BE”, shkruan Bushati.

Top Channel