Vendet anëtare të NATO-s nënshkruan sot në Bruksel protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake të globit. Secili prej tyre ka firmosur veç e veç, ndërsa vendi i parë që nënshkroi ishte Republika e Shqipërisë, për shkak të rendit alfabetik.

Në mbledhjen e Këshillit, të zhvilluar në selinë e NATO-s në kryeqytetin belg, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov.

Ishte zgjidhja e ngërçit 30-vjeçar mbi emrin me Greqinë, ajo që i hapi Maqedonisë së Veriut rrugën e anëtarësimit euroatlantik.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, më 6 shkurt “shkruhet historia”.

Parlamenti grek e ratifikoi në fund të janarit “Marrëveshjen e Prespës”, që i dha fund konfliktit shumëvjeçar mes dy shteteve fqinje. Me këtë marrëveshje u pranua ndryshimi i emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Shkupi pranoi se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave dhe se identiteti nuk ka të përbashkëta me maqedonasit e lashtë.

Protokolli duhet ratifikuar më pas nga vendet anëtare, duke nisur nga Greqia, e para që do ta hedhë në votim. Ratifikimi në Parlamentin grek, për Nikola Dimitrovin është punë e kryer.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti konsideron nga ana tjetër se çështja e inkuadrimit në NATO ka marrë tashmë formë, e nga ky moment, forcat sipas tij duhen përqëndruar te bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Greqisë, Nikos Vucis njoftoi se protokolli do të dorëzohet të enjten dhe do të shqyrtohet nga Komisioni kompetent për Mbrojtjen Kombëtare dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Greqisë, ndërsa të premten do të dalë para deputetëve grekë në seancë plenare, ku edhe do të votohet.

Që të votohet protokolli janë të nevojshme 151 vota, ndërsa pritet që të gjithë deputetët që votuan për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës të përkrahin edhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Top Channel