Egjipti është caktuar si vendi që do të presë Kupën e Kombeve të Afrikës për këtë vit. Fillimisht ky turne ishte caktuar që të zhvillohej në Kamerun, por atij iu hoq e drejta e organizimit për shkak të vonesave në përgatitje dhe problemeve me sigurinë.

Drejtuesit e Konfederatës afrikane të Futbollit (CAF) vizituan disa nga impiantet dhe infrastrukturat sportive në Egjipt, duke shprehur besimin se përgatitjet do të mbyllen në kohë.

“Egjipti do të jetë gati. Kemi plan për të bërë disa rinovime, por sido që të jetë, infrastruktura këtu është gati”, tha drejtoresha e Komunkacionit në Konfederatën afrikane të Futbollit, Nathalie Rabe, për AFP-në.

Kjo e këtij viti do të jetë hera e katërt që Egjipti pret Kupën e Kombeve të Afrikës. Edicioni i radhës, që do të mbahet në vitin 2021, do të zhvillohet pikërisht në Kamerun.

Ndërkohë, Nathalie Rabe ka hedhur poshtë frikën për problemet me sigurinë në këtë vend, duke theksuar se do të merren të gjitha masat në këtë pikë. Vlen të theksohet se, që nga revolucioni egjiptian i vitit 2011, futbolli në vend u prek shumë nga dhuna.

Kupa e Kombeve të Afrikës të këtij viti do të zhvillohet nga 21 qershori deri më 21 korrik dhe do të jetë edicioni i parë ku do të marrin pjesë 24 skuadra, nga 16 në të kaluarën.

Top Channel