Rikthehet “El Clasico” mes Barcelonës dhe Realit të Madridit për këtë sezon. Këtë radhë, dy gjigantët e futbollit spanjoll do të luajnë ndeshjen e tyre të parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, që do të zhvillohet në “Camp Nou”.

Lajmi i ditës te Barcelona është grumbullimi i Lionel Messit, pas dyshimeve që u ngritën për praninë e tij në këtë përballje për shkak të një goditjeje të marrë në ndeshjen me Valencian. Messi u stërvit normalisht, por ende nuk dihet nëse do të aktivizohet apo jo. Risia për Barcelonën është debutimi i portierit Ter Stegen në Kupë, duke qenë se Cillessen është dëmtuar.

Ndërsa Reali i Madridit vjen në këtë sfidë pas një momenti të mirë, ku Benzema dhe Vinicius Junior janë bërë pikat e referimit të kësaj skuadre kohët e fundit.

“Los Blancos”-it kanë zhvilluar lojëra të mira në ndeshjet e fundit, që janë shoqëruar edhe me rezultate pozitive. Gareth Bale është riaftësuar dhe është një armë më shumë për trajnerin Solari.

Barcelona dhe Reali i Madridit përballen mes tyre në Kupën e Mbretit, për herë të parë pas 5 vitesh. Në periudhën 2011-2014, “El Clasico” është përsëritur shpesh në këtë kompeticion dhe bilanci për këtë kohë anon nga Reali i Madridit, që fitoi dy finale në 2011-n e 2014-n, si dhe dy sfida me eliminim në 2013-n.

Barcelona ka arritur të kalojë Realin vetëm në çerekfinalet e 2012-s. Arbitri i kësaj sfide është Mateu Lahoz, një emër që nuk lë askënd indiferent, duke qenë se futbollistët jo pak herë janë ankuar për mënyrën sesi ai interpreton rregulloren.

Top Channel