Sacramento vijon të shfaqë një formë të mirë, në këtë fazë të kampionatit amerikan të basketbollit, NBA.

“Kings”-at mundën San Antonion në sfidën e radhës në “Golden One Center” dhe i afrohen edhe më shumë zonës së “play off”-eve në Konferencën e Perëndimit.

Në këtë ndeshje, Sacramento ishte gjithnjë në udhëheqje të rezultatit, e ai që spikati më shumë për “Kings”-at ishte Marvin Bagley III, me 24 pikë, 12 topa në tabelë dhe 4 asiste.

Në krahun tjetër, San Antonio pa 6 basketbollistë të tij të regjistronin statistika dyshifrore, por që nuk iu mjaftuan teksanëve të evitonin humbjen, që i në vendin e 6 të renditjes në Konferencën e Perëndimit, pas Houstonit, që nga ana e tij fitoi ndeshjen me Phoenix me rezultatin 118-110.

Për “Rockets”, si gjithnjë u dallua James Harden, që shënoi 44 pikë, duke e çuar në 27 numrin e ndeshjeve radhazi me mbi 30 pikë personale. Nërkohë ajo ndaj Suns për Houstonin ishte fitorja e 31-të sezonale.

Me paraqitjen e bërë në këtë ndeshje, Harden e çon në 20 numrin e ndeshjeve me mbi 40 pikë, e në këtë aspekt, më mirë sesa ai kanë bërë vetëm Wilt Chamberlain, Michael Jordan dhe Rick Barry.

Duke u kthyer te sfida me skuadrën nga Arizona, për Houstonin u paraqitën mirë edhe Chris Paul, me 18 pikë, dhe Kenneth Faried, me 17 pikë e 14 topa në tabelë. Për Phoenix, shënuesi më i mirë rezultoi Josh Jackson, me 25 pikë, ndërsa Kelly Oubre Jr. e mbylli sfidën me 23 pikë.

Detroit shkaktoi surprizën e mbrëmjes në NBA, pasi mundi Denverin 129-103, duke ndërprerë serinë e 6 fitoreve radhazi të “Nuggets”, që vinte në këtë përballje edhe si një prej skuadrave kryesuese të Konferencës së Perendimit.

Në periodën e dytë, Denver e pa veten në disavantazhin e 13 pikëve, por historia e sfidës u mbyll përfundimisht vetëm në çastet e fundit, kur Detroit thelloi edhe më shumë diferencën. Andre Drummond ishte më i miri në parket për Detroitin, me 27 pikë e 14 topa në tabelë. Për Pistons, kjo fitore kishte shumë vlera, pasi i qëndron shumë pranë Miamit në luftën për vendin e 8 në Konferencën e Lindjes, pozicion që të kualifikon në “play off”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA