Marc Marquez ka nisur përgatitjet për Botërorin e ri të MotoGP-së, që do të nisë pas disa javësh. Piloti spanjoll, që iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpatull në dhjetor të vitit 2018, zbriti në pistën e Sepangut për të zhvilluar përgatitjet në prag të testeve parasezonale për sezonin e ri.

Marc Marquez, i cili në tetor të vitit të kaluar, në Japoni fitoi titullin e tij të pestë në MotoGP dhe të 7-in në total, ishte duke festuar suksesin kur dëmtoi sërish shpatullën, me të cilën edhe më parë kishte probleme.

Marquez u operua në Spitalin Universitar “Dexeus” të Barcelonës, e më pas së bashku me stafin e tij përpiluan planin për të forcuar shpatullën e pilotit, që ai të ishte gati për testet parasezonale që do të zhvillohen këtë fundjavë.

“Kisha nevojë për këtë, preka tokën me bërryl. Bëmë disa xhiro që më ndihmuan të kuptoja sesi është situata. Problematike rezultoi forca e ushtruar në frenim, sidomos në krahun e majtë, që lidhet edhe me shpatullën e kësaj ane. Kjo është pika ku duhet të vazhdojmë punën”, tha Marquez.

Vetëm përpara një jave, skuadra zyrtare e Hondës prezantoi motorin e ri për Botërorin e MotoGP-së dhe në përbërje ka sërish dy pilotë spanjollë, por këtë radhë shok skuadre me Marc Marquezin nuk do të jetë Dani Pedrosa, por Jorge Lorenzo, 3 herë kampion bote në klasin MotoGP dhe 5 herë në total.

Top Channel