New England Patriots dhanë një shfaqje shembullore në mbrojtje, teksa mposhtën Los Angeles Rams me rezultatin 13 me 3, për të barazuar kështu rekordin e mëparshëm të Pittsburgh Steelers me plot 6 tituj “Super Bowl”-i.

Fitorja i dha gjithashtu “quarterback”-ut të “Patriotëve”, Tom Brady, unazën e gjashtë të një titulli të tillë kaq prestigjioz të futbollit amerikan, një rekord i jashtëzakonshëm individualist për një sportist, duke eklipsuar kështu rekordin e mëparshëm që ndante me Charles Haley.

Bill Belichick, trajneri më i suksesshëm në historinë e “Super Bowl”-it dhe tashmë 66-vjeçar, më i vjetri që triumfon, rezultoi sërish me një plan perfekt loje në Atlanta, teksa “Patriotët” i zunë frymën sulmeve të jashtëzakonshme të “LA Rams”, që në sezonin e rregullt kishte regjistruar mesatarisht 32.9 pikë për ndeshje.

Megjithatë, mbrojtjet e fuqishme të të dyja skuadrave bënë që finalja e “Super Bowl”-it të përfundonte me rezultatin më të ngushtë të të gjitha kohërave, me vetëm 16 pikë në total të shënuara, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm prej 21 pikësh të regjistruar kur Miami mposhtte Uashingtonin 14 me 7 në vitin 1973. Vlen të përmendet se rezultati ishte vetëm 3-0 deri në çerekun e tretë të lojës.

“Ishte një vit i pabesueshëm, kemi luftuar përgjatë tij më shumë se për gjithçka tjetër”, tha 41-vjeçari Brady. “Ata luajtën shumë mirë gjithashtu, kishin një mbrojtje të jashtëzakonshme, duke na e bërë më të vështirë neve”.

Përpara nisjes së finales së shumëpritur, himni kombëtar amerikan u performua nga këngëtarja “soul” Gladys Knight, ndërsa shfaqja tradicionale në mesin e ndeshjes pa protagonistë Maroon 5, që së bashku me Travis Scott dhe Big Boi u pritën jo me shumë entuziazëm.

FOTO GALERI
11/53

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA