Prej 7 vitesh është president i skuadrës së Kukësit, me të cilën ka kaluar problematika të shumta, por edhe u është gëzuar jo pak sukseseve.

Bëhet fjalë për Safet Gjicin, i cili sot në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, foli për eksperiencën e tij 7-vjeçare me klubin verilindor, por edhe problematikat e Kukësit dhe futbollit shqiptar në tërësi.

Si është bilanci 7-vjeçar i juaji në drejtim të Kukësit?
Bilanci është kryesisht pozitiv, pasi kemi kaluar vështirësi të shumta, por në shumicën e rasteve, ia kemi dalë të arrijmë synimet tona.

A do të ribënit këtë zgjedhje, nëse do ktheheshit pas?
Kurrë! futbolli në Shqipëri është i vështirë, pasi vërtetë që afron njerëz dhe argëton, ka edhe problemet e tij financiare. Presidentët lihen gjithmonë vetëm nga kryetarët e bashkive dhe kjo gjë e vështirëson punën.

Sa e vështirë është të ndryshosh në kahun pozitiv organizimin e futbollit në Shqipëri?
Ky është një problem shqiptar, pasi nuk bëhemi të gjithë bashkë. Ne duhet të mblidhemi të 10 presidentët e Superligës dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për organizimin. Kemi krijuar Ligën dhe nuk e dimë se çfarë do të sjellë, por uroj që të bëhet më e mira për ne.

Pse vazhdoni të investoni në një biznes, që ju sjell vetëm humbje dhe stres?
Ne kemi shembullin e Albert Xhanit, i cili ka shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij për futbollin. Kjo puna e futbollit është pak e komplikuar sepse të hyn edhe në gjak dhe është pikërisht egoja, që të mban akoma të angazhuar. Unë konkretisht jam edhe nga Kukësi, ndaj e kam menduar shpesh të tërhiqem, por gjithmonë e kam shtyrë këtë moment, pasi nuk kam dashur të braktis skuadrën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA