Futbollistët u rrahën në stadium. Lojtarët e Skënderbeut tregojnë incidentet në Fushë-Krujë

04/02/2019 17:25

“Kemi bërë vëzhgimet në fillim të sezonit dhe stadiumi “Redi Maloku” i Fushë Krujës plotëson kushtet minimale të zhvillimit të një ndeshjeje futbolli të Kategorisë Superiore”.

Kështu është shprehur Eduard Gjini, specialist i sektorit të licencimeve në FSHF. Në hyrjen e këtij stadiumi ka ndodhur edhe incidenti ditën e shtunë me lojtarët e skuadrës së Skënderbeut, të cilët deklarojnë se janë goditur nga një grup tifozësh ende të paidentifikuar.

Pasi kanë heshtur për gjithçka ndodhi, një nga protagonistët e ngjarjes, Kristi Vangjeli, futbollist i Skëndërbeut, tregon për Top Channel ngjarjen: “Autobusi u ndalua nga shumë persona. Kur zbritëm, na kanë goditur me grushta. Më janë sulur 7 veta duke më goditur me grushta, njëri prej tyre me gur dhe me një dru që mbante në dorë”.

E gjithë problematika duket se ka qenë mungesa e Policisë së Shtetit që duhet të garantonte rendin e sigurinë në ambientet jashtë stadiumit.

“Policia e Shtetit duhet ta kishte marrë ambientin jashtë stadiumit nën patronazh një orë e gjysmë përpara fillimit të ndeshjes. Kur skuadra udhëtuese apo gjyqtarët e ndeshjes mbërrijnë në stadium, ai duhet të sigurohet nga brenda nga “security” dhe nga jashtë nga policia”, shpjegon Gjini.

Nëse do të luhet ende në stadiumin “Redi Maloku” apo jo, kjo do të zbardhet pas vendimit të Komisionit të Disiplinës në mesjavë.

Top Channel