Partizanit kryesues i mjaftoi një gol i Jasir Asanit për të triumfuar përballë Kamzës, në derbin periferik të kryeqytetit, një 3-pikësh ky që bën të ruajë distancën prej 5 pikësh nga ndjekësit më të afërt, verilindorët e Kukësit.

Në stadiumin e Kamzës, “demat” nuk shkëlqyen me lojën e tyre, madje në pjesën e parë ishte Kamza më kërkuese dhe këmbëngulëse. Ndonëse si të përfjetur, “të kuqtë” arritën t’i bënin ballë presionit të vendasve, për t’u rikthyer në fushën e blertë pas pushimit midis pjesëve me një tjetër “marsh”.

Në minutën e 56, i ndihmuar edhe nga fati, Asani do të gjende rrugën drejt rrjetës kundërshtare, duke kaluar në avantazh Partizanin. Kaq duket se i mjaftoi trajnerit Skënder Gega, që të urdhëronte më pas të tijtë të administronin lojën e të mbanin larg portës së Alban Hoxhës kundërshtarët e Kamzës.

Në ndeshjen tjetër të kësaj të diele për Kategorinë Superiore, Laçi është mposhtur në fortesën e tij, nga gjirokastritët e Luftëtarit që shënuan jo pak, por dy herë ndaj kurbinasve që në pjesën e parë të sfidës.

Pas largimit të disa titullarëve dhe trajnerit Mezani, Luftëtari duket se ka reaguar më së miri ndaj Laçit, duke treguar forcë e karakter, këtë herë nën drejtimin e Julian Ahmatajt.

Pas javës së 20 të Superiores, Partizani kryeson me 43 pikë, ndërsa fundin e klasifikimit e mbyllin Kamza e Kastrioti, me 15 dhe 16 pikë.

Top Channel