Golden State rigjeti fitoren në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Warriors fituan derbin kalifornian me Los Angeles 115-101, me Lakersat që këtë radhë nuk e kishin në parket LeBron Jamesin, i lënë pushim nga trajneri Walton, pasi ende nuk është në formën e tij më të mirë.

Njeriu i ndeshjes për kampionët në fuqi u bë Klay Thompson, që e mbylli sfidën me 28 pikë, shifër së cilës i bashkohen edhe ato të Kevin Durant, me 21 pikë, dhe Cousins, me 18.

Në krahun tjetër, shënuesi më i mirë te Lakers ishte Brandon Ingram, me 20 pikë, ndërsa Rajon Rondo e mbylli sfidën me 12 pikë e 11 asiste. Me këtë fitore, Golden State ndodhet në krye të klasifikimit në Konferencën e Perëndimit, së bashku me Denver Nuggets.

Lakuriqët e natës duket se i sjellin fat San Antonios në ndeshjet e zhvilluara në “AT&T Center”, pasi prania e tyre në parket përkoi më një tjetër fitore të skuadrës teksane, këtë radhë ndaj New Orleans Pelicans, me rezultatin 113-108.

New Orleans kishte mungesa të rëndësishme, mes të cilave spikat ajo e Anthony Davis, që është në pritje të largimit të tij nga kjo skuadër, megjithatë kjo nuk e pengoi atë t’ia vështirësojë gjërat San Antonios, për të cilin spikati i zakonshmi Lamarcus Aldridge, që e mbylli sfidën me 25 pikë e 14 topa në tabelë. Te Pelicans, më i miri rezultoi Frank Jackson me 25 pikë.

Luka Donçiç shkruan çdo ditë nga një pjesë historie në NBA. Talenti slloven i Dallasit ishte tmerri i mbrojtjes së Clevelandit, në sfidën që zhvilluan këto dy skuadra në “Quicken Loans Arena”, me teksanët që fituan 111-98.

Donçiç regjistroi 35 pikë në këtë përballje, 28 nga të cilat në pjesën e parë, e tashmë është në kuotën e 1.000 pikëve në total. E të mendosh që 19-vjeçari është debutues në këtë sezon. I fundit debutues që ka arritur të shënojë 28 pikë në një pjesë ndeshjeje në NBA ka qenë Blajke Griffin, në vitin 2011.

Por, ajo që ka më shumë rëndësi është se, Donçiç bëhet lojtari i 6 në historinë e NBA, që arrin në 1.000 pikë pa i mbushur ende të 20 vitet. Gjithsesi, Donçiç nuk ishte i vetmi që dha kontributin e tij në fitoren e Dallasit. Për teksanët spikatën edhe Brunson e Barnes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA