Manchester City e ngushtoi në vetëm dy pikë, distancën me Liverpoolin kryesues, pasi u imponua me meritë 3-1 ndaj Arsenalit.

Në “Etihad Stadium”, heroi i vendasve ishte Sergio Aguero, me 3 gola nën emrin e tij. Argjentinasi prishi ekuilibrat që në minutën e parë, por londinezët barazuan me Koscielnyn.

Pak me fat dhe pak me lëvizjet e tij karakteristike, Aguero arriti të tregohet sërish vendimtar në dy aksione të tjera, duke iu dhënë “Citizens” 3 pikët e merituara në javën e 25-të të Premier League.

Më herët, ishte ekipi tjetër i të njëjtit qytet që kishte regjistruar suksesin e radhës, e çfarë suksesi madje.

Me 9 fitore në 10 ndeshje të zhvilluara, askush nuk do ta kishte menduar një kthesë kaq të fortë në sezonin e Manchester United, por trajneri Solskjaer bëri “djajtë e kuq” të festojnë edhe këtë fundjavë.

Në transfertën e vështirë në fushën e Leicester Cityt, miqtë u imponuan me vetëm një gol, duke iu afruar zonës që të kualifikon në Champions League.

Pogba shpiku një asist, ndërsa Rashford finalizoi në kuadratin e Leicester Cityt, pasi i vodhi kohën mbrojtjes.

Kjo ishte pika kulmore e 90-minutëshit në “Kings Poëer Stadium”. Sulmuesi i Manchester United festoi kështu më së miri praninë e tij të 100-të në kampionatin anglez, e gjithçka kur është vetëm 21 vjeç.

Portieri De Gea u impenjua gjithashtu në disa ndërhyrje vendimtare, që ruajtën kuadratin e mbrojtur prej tij të paprekur.

Top Channel