Kukësi ia doli të marrë një 3-pikësh të vuajtur, por me shumë vlera në transfertën vlonjate ndaj Flamurtarit dhe t’i bëjë presion Partizanit kryesues.

Skuadra e Armando Cungut arriti të triumfojë me shifrat 1-2, në një sfidë mjaft të luftuar dhe me tension, rezultati i të cilës u vendos që në pjesën e parë.

Valon Et’hemi zhbllokoi shifrat për Kukësin në minutën e 10′, pasi mori një top të gjatë nga mbrojtja dhe “dogji” në shpejtësi prapavijën vlonjate.

Flamurtari nuk u dorëzua kurrsesi dhe arriti të rikthejë baraspeshën në minutën e 33-të, pas një goli të shënuar nag Artim Pollozhani, pas një krosimi nga këndi.

Megjithatë paqja mbizotëroi për vetëm dy minuta, pasi në të 35-ën, ishte fantazisti i ardhur në janar te Kukësi, Eduart Rroca, i cili ekzekutoi saktë një goditje dënimi dhe dërgoi topin në rrjetën e Koliçit.

Flamurtari u shfaq mjaft kërkues edhe në pjesën e dytë dhe arriti ët gjejë golin e barazimit, me një ekzekutim spektakolar të Pollozhanit, me roveshiatë, por arbitri e anuloi për lojë të rrezikshme.

Me këtë fitore, Kukësi ngjitet në vendin e dytë, në kuotën e 38 pikëve, vetëm dy pikë më pak se Partizani kryesues, që luan nesër në orën 14:00 në Kamëz.

Top Channel