Ka nisur të kthehet në një parodi kundër tifozëve të Interit, tripleta e trofeve, për të cilën zikaltërit krenohen. Jashtë garës për titullin, jashtë Ligës së Kampioneve në pengesën e parë dhe jashtë Kupës së Italisë, pikërisht atëherë kur mendohej një derbi ndaj Milan.

Skuadra e trajnerit Luciano Spalletti po akumulon shumë kritika dhe duket se i pari që do ta pësojë, ashtu sic ndodh me ose pa të drejtë, do të jetë numri 1 i pankinës.

Po flitet gjithmonë e më shumë për shkarkimin e teknikut të zikaltërve në rast se rezultatet do të jenë negative si ai në mbrëmjen e së enjtes, kur Lacio eliminoi rivalët me goditjet e penalltive. Sigurisht që në portë kishin kundër një hero si shqiptari Tomas Strakosha, por fakt mbetet që Inter nuk rrezikoi dhe nuk meritoi më shumë.

Objektivi i vetëm tani është që skuadra të mbyllë kampionatin italian në 4 vendet e para, dhe të bëjë një figurë të mirë në Europa Lig. Por në një skuadër që ka shumë probleme jashtë fushës, kjo duket e largët. Kontrata e parinovuar e Mauro Ikardit po jep efekte negative, ashtu si rasti i rebelëve Naingolan dhe Perishic, të dy të vendosur të lënë Milanon sa më shpejt.

Nëse këtyre i shtohet edhe hija e Kontes në pankinën zikaltër, atëherë vërtet që ndryshimet në stafin teknik, do të jenë të afërta.

Top Channel