Kosova është e gatshme për një marrëveshje kompromisi me Serbinë, për të zgjidhur çështjet afatgjata midis vendeve, tha presidenti Hashim Thaçi në një letër drejtuar Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Serbia dhe provinca e saj e mëparshme e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, u angazhuan në vitin 2013 në një dialog të sponsorizuar nga Bashkimi Europian, që synonte zgjidhjen e situatës, por pak përparim është bërë deri tani.

Bisedimet janë ndalur që nga nëntori, kur qeveria në Prishtinë ngriti tarifat doganore për importet e prodhimeve nga Serbia, me 100 për qind. Serbia tha se nuk do të mbajë bisedime, nëse situata e tregtisë nuk kthehet në normalitet.

“Unë do të jem i gatshëm dhe i predispozuar të bëj kompromise të nevojshme për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke i dhënë fund konfliktit shekullor me Serbinë dhe duke sjellë paqe në të gjithë rajonin”, tha Thaçi në letrën e tij më 8 janar.

Mbetet e paqartë pse Thaçi e publikoi letrën tani, disa ditë pasi mori një letër nga Trump, duke i kërkuar homologut të tij të Kosovës të bëjë gjithçka për të arritur një marrëveshje me Serbinë, dy dekada pas përfundimit të luftës.

Thaçi tha në qershor se do të kërkonte një zgjidhje me Serbinë duke “korrigjuar kufijtë”, por politikanët dhe analistët në Kosovë thanë se do të thoshte shkëmbim tokash.

Plani i tij vuri kambanat e alarmit midis fqinjëve të Ballkanit dhe qeverive perëndimore që e shihnin atë si një hap për të marrë tri komuna serbe të banuara kryesisht nga shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë më shumë se 90 përqind të popullsisë së Kosovës.

Nëse do të kishte një shkëmbim toke, Serbia do të merrte pjesë në Kosovën e veriut, të populluar kryesisht nga serbët e pakicës, që refuzojnë të njohin autoritetin e qeverisë së Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk është i gatshëm të ndryshojë vendimin e qeverisë për tarifat. Uashingtoni mbetet mbështetësi më i madh i Kosovës politikisht dhe financiarisht.

Ishte nën komandën e SHBA-së, kur NATO bombardoi forcat serbe në vitin 1999 për të ndalur vrasjet dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës, gjatë një operacioni kundër-kryengritës. Kosova njihet nga rreth 110 vende, por jo nga Serbia, Rusia dhe pesë shtete anëtare të BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA