Lionel Messi do të jetë protagonisti i spektaklit të “Cirque du Soleil”, premiera e të cilit do të shfaqet në Barcelonë më 10 tetor, e që është krijuar e imagjinuar pikërisht mbi figurën e kapitenit të katalanasve.

Vetëm përpara disa muajsh, sulmuesi 31-vjeçar bëri të ditur partneritetin e tij me “Cirque du Soleil” për këtë spektakël, një projekt që u bë realitet.

“Është diçka unike, sepse Messi ndërton trashëgiminë e tij çdo ditë. Po e bën këtë edhe në momentin që po flasim. Bëhet fjalë për një spektakël që e ka parasysh këtë fakt, e në të njëjtën kohë vlerëson në maksimum aftësitë e jashtëzakonshme të këtij futbollisti”, tha drejtori artistik i projektit.

I shoqëruar nga Pinto, ish-portieri i Barcelonës, Lionel Messi i ndoqi nga pranë përgatitjet e këtij spektakli, që në vitin 2020 do të shfaqet në 5 kontinente.

I cilësuar shpesh si një hero global dhe virtuoz me topin, Messi do të shfaqet në tendën e “Cirque du Soleil”, ku do të luajë së bashku me akrobatë dhe specialistë të ecjes mbi litar, për të treguar historinë e tij pa fund, siç tregon Pinto.

“Nuk është një vepër për futbollin, është një spektalël për personat që kanë aspirata, që ëndërrojnë të arrijnë objektivat, pavarësisht se kush janë ata”, tha Pinto.

Top Channel