Në një mbrëmje gala, të mbajtur në kryeqytetin e elitës botërore, sikundër është cilësuar Parisi, u zhvillua për të 43-tin vit ceremonia e ndarjes së çmimeve të përvitshme të fushave të ndryshme.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm personalitete të të gjitha fushave, është nderuar me çmimin “The Best Awards” biznesmeni i njohur shqiptar, Kadri Morinaj, president i grupit “EUROSIG-INSIG Shqipëri, Kosovë, Maqedoni”, si biznesmen i suksesshëm në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe në fushën e filantropisë.

Çmimi, zotit Morinaj iu dorëzua nga kryetarja e Bashkisë së Parisit, Jeanne d’Hauteserre.

“Ky për mua është një privilegj shumë i veçantë, pasi këtë çmim e marr nga një organizatë vlerësuese që ka 43 vite. Me këtë çmim janë nderuar personalitete shumë të njohura botërore, siç kanë qenë presidenti Ronald Reagan, Lady Diana, Gianni Agnelli, e shumë e shumë figura të tjera. Ky është vetëm një detyrim për mua, për bizneset e mia dhe sukseset e mia që kam arritur deri tani, që unë të jem në avangard me kohën dhe me jetën”, tha Kadri Morinaj.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Francë, Dritan Tola e cilësoi biznesmenin Morinaj si pionier të kapitalizmit shqiptar dhe tha se figura të tilla i duhen Shqipërisë.

“Këtë vit, çmimi iu dha edhe një shqiptari, zotit Kadri Morinaj, i cili nga një anë është përfaqësues i shquar i botës së biznesit në Shqipëri, por me aktivitetin e tij edhe në botë. Është krenari për ne dhe komunitetin shqiptar në Francë, që personalitete të këtillë nderohen me këtë çmim. Nga ana tjetër shërbejnë për rritjen e imazhit të Shqipërisë”, tha Dritan Tola, ambasador i Shqipërisë në Francë.

Vlerësime për biznesmenin Morinaj shprehën edhe personalitete të tjera akademike dhe lektorë të pranishëm në mbrëmjen gala.

“Unë kam takuar edhe shkrimtarin Ismail Kadare nga Shqipëria. Kadare është shkrimtari më i mirë në Shqipëri. Vlerësoj zotin Morinaj për kontributin e tij të dhënë dhe figura të tilla na duhen gjithmonë”, tha Jean Marie Ruard, anëtar i Akademisë së Shkencave të Parisit.

Presidenti i “EUROSIG-INSIG”, Kadri Morinaj shprehet se, në fokus të veprimtarisë së tij në të ardhmen do të jetë edhe ndihmesa për personat me aftësi të kufizuara.

Top Channel