E ardhmja afatgjatë e Ole Gunnar Solskjaer në pankinën e Manchester United mund të zyrtarizohet brenda muajit shkurt, me 12 ditët e ardhshme që do të impenjojnë “Djajtë e kuq” në Premier League, FA Cup dhe në Champions League.

Trajneri norvegjez, që u thirr “nën armë” jashtë parashikimit, për shkak të shkarkimit të Mourinhos, tani po fiton gjithmonë e më shumë admirues, pasi ka rigjallëruar ekipin dhe ka marrë fitore që konsideroheshin gati të pamundura këtë sezon.

Manchester United do të presë Paris SG më 12 shkurt, përpara se të luajë ndaj Chelseat në “Stamford Bridge” për “FA Cup”.

Solskjaer do të synojë të pengojë Liverpoolin në fushatën për titullin gjithashtu, kur ndeshja më e pritshme e futbollit anglez të marrë jetë më 24 shkurt, në “Old Trafford”. Këto tri përballje do të jenë jetike për qëndrimin apo jo të norvegjezit në stol.

Solskjaer ka thënë se, më e rëndësishme sesa hyrja në katër më të mirët, për Manchester United do të jetë fitorja e një trofeu, por drejtuesit dhe financat imponojnë patjetër një vend në Champions. “Djajtë e kuq” do të përballen në shkurt edhe me Crystal Palace dhe Southampton, përpara se të zhvillojnë sfidën e kthimit në Champions, ndaj PSG-së.

Top Channel