Plot 13 punonjëse të subjektit “Alba Stir”, në Fllakë të Durrësit, janë paraqitur mëngjesin e kësaj të marte me simptoma helmimi pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal të Durrësit.

Sipas deklaratave të punonjëseve të shtruara në spital, shkak për gjendjen e rënduar shëndetësore është bërë çarja e tubit të aspirimit të gazrave, në repartin ku ato punonin. Pas problemeve të para shëndetësore, në repart nuk mbeti asnjë punonjëse.

Brenda tij ishin inspektorët e Shëndetit Publik dhe Inspektoriatit të Punës, të cilët po bëjnë veprimet e verifikimet përkatëse për të mësuar gjithçka ndodhi brenda asaj godine.

  Pa Koment – Durrës/ Helmohen 13 rrobaqepëse

Me të marrë njoftim për situatën, në spital kanë shkuar edhe efektivë të policisë. Punonjëset kanë dhënë dëshmitë, e po ashtu edhe familjarët e pacientëve.

“Gjendja e pacienteve është relativisht e mirë dhe nga 7, numri i tyre ka shkuar në 13. Më shumë i ka kapur paniku. Kanë marrje mendsh dhe të përziera, një tension në parametra normalë, por ka një ulje të oksigjenimit të tyre në organizëm. Janë nën kujdesin e mjekëve. Momenti i parë ishte pak kritik, por tani, një pjesë e tyre po transportohen në dhomat e pavijoneve ku ka oksigjen”, tha Nadire Jani, drejtuese e Spitalit Rajonal të Durrësit.

Punonjëset kanë frikë të flasin, pasi thonë se rrezikojnë vendin e punës, por jashtë mikrofonit tregojnë se rrjedhja e gazit ka ndodhur që të hënën dhe asnjë masë nuk është marrë nga përgjegjësit.

Ky është rasti i tretë brenda harkut kohor të një viti në Durrës. Nga kontrollet e ushtruara në shumë ndërmarrje të tekstileve, inspektorët shtetërorë të punës kanë konstatuar shkelje që lidhen me sigurinë në punë, mbrojtjen kundër zjarrit, si dhe pagesat e kontributeve shoqërore.

Por, përtej konstatimeve, asgjë nuk është bërë për të detyruar zotëruesit e këtyre subjekteve të marrin masa e të përmirësojnë situatën dhe kushtet e punës.

Top Channel