Alvaro Morata u prezantua zyrtarisht si futbollisti i ri i Atleticos së Madridit, në një lëvizje që shpreson se do t’i japë sërish një vend në kombëtaren spanjolle dhe do ta bëjë të shkëlqejë me ngjyrat që ka mbrojtur edhe më parë.

Sulmuesi iberik ka luajtur tek Atletico me të rinjtë, para se karriera e tij ta çonte te Getafe, te Reali i Madridit, e më pas te Juventusi dhe Chelsea.

“Doja të kthehesha këtu dhe njerëzit që më njohin e dinë domethënien e kësaj lëvizjeje. U kisha dhënë fjalën drejtuesve që do të rikthehesha kur të ishte e mundur, e ja ku jam. Nuk ndihem si një lojtar i ri dhe e di se çfarë duhet të bëj në fushë”, tha Alvaro Morata, futbollist i Atleticos.

Sulmuesi, që u kërkua në këtë merkato edhe nga Milani, do të përballet me të kaluarën e tij në kampionatin spanjoll, pasi do të luajë derbin ndaj Realit. Por, më e rëndësishme për të është sfida e dyfishtë në Champions League ndaj Juventusit, skuadër me fanellën e së cilës shënoi 15 gola.

Top Channel