Shtëpia e Bardhë do t’i përgjigjet çdo kërcënimi ndaj diplomatëve amerikanë dhe kreut të opozitës, Juan Guaido në Venezuelë, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të botës e kanë njohur si president të vendit.
Këshilltari për Sigurinë i presdientit Trump, John Bolton paralajmëron në “Twitter” se, çdo intimidim ndaj tyre do të jetë një sulm ndaj sundimit të ligjit.
Juan Guaido, që e shpalli veten president më 23 janar dhe u njoh nga mbi 20 shtete si i tillë, ka thirrur protestat popullore për të rrëzuar presidentin Nicolas Maduro, i cili ishte betuar për herë të dytë në këtë post, pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita dhe akuzave për vjedhje votash.
Disa shtete europiane i dhanë një ultimatum Maduros se do ta njohin si president Juan Guaidon, nëse ai nuk zhvillon zgjedhje të reja në Venezuelë. Ultimatumi u hodh poshtë nga Maduro.
E ndërsa hedh poshtë kërkesat europiane, duke i cilësuar arrogante, Maduro po përpiqet për pajtim me presidentin amerikan, që në fakt e ndëshkoi i pari.
“I kam dëguar shumë mesazhe Trumpit, por ai na përçmon” – thotë Maduro, i cili javën e kaluar ndërpreu marrëdhëniet me Uashingtonin, për shkak se Shtetet e Bashkuara mbështetën udhëheqësin e opozitës.
Top Channel