Të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit do të detyrohen të pajisen me llogari bankare biznesi. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili – sipas saj, – synon të reduktojë paranë “cash” në ekonomi.
Sipas draftit, qeveria do të detyrojë çdo biznes, person fizik apo juridik, përfshirë dhe organizatat jofitimprurëse, që të pajisen me llogari bankare, në të kundërt do të ndëshkohen me gjoba.
Më konkretisht, në nenin 2 projektligji sanksionon se “bizneset që konstatohen se nuk hapin llogari në bankë do të gjobiten me 50 mijë lekë, kur janë persona fizikë me xhiro deri në 8 milionë lekë. Ndërsa në rastin e personave juridikë, gjoba është 100 mijë lekë”.
Drafti, nga i cili përfitojnë ekonomikisht bankat, krijon kosto shtesë për mijëra biznese të vogla, të cilat tashmë duhet të paguajnë komisionet bankare për mirëmbajtjen e llogarive, që mund të arrijnë deri në 50 euro në vit.
Ministria e Financave thotë se, ndryshimet ligjore janë kërkuar nga Këshilli i Europës, më konkretisht Agjencia europiane kundër Pastrimit të Parave “Moneyval”, për të mbyllur shtigjet për pastrim parash.
Vlerësimi i fundit i “Moneyval” për Shqipërinë, që u publikua vetëm një muaj më parë, kishte doza të forta kritike. Madje, Këshilli i Europës e vendosi Shqipërinë në mbikëqyrje të thelluar, pasi sipas ekspertëve të “Moneyval”, në vend janë rritur rreziqet për pastrimin e parave.
Gjasat janë që ky draft, që detyron edhe bizneset e vogla të kenë llogari bankare, të pasohet më vonë nga masa të tjera shtrënguese, ku nuk përjashtohet edhe ulja e kufirit të xhiros për transaksionet që lejohen në para “cash”. Aktualisht, ky kufi është 150 mijë lekë, por burime nga Ministria e Financave thonë se po shqyrtohet mundësia, që shuma e lejuar për transaksionet “cash” të ulët edhe më shumë.
Top Channel